Punonjësit e Policisë ndihmuan 5 turistë nga Franca që kishin mbetur të bllokuar në fshatin Kosovë, Përmet.
Gjatë eksplorimit të zonës 1 turiste ishte dëmtuar dhe nuk mund të vijonte lëvizjen me këmbë.
Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me shërbimet e emergjencave civile dhe ekipin mjekësor bënë të mundur nxjerrjen e saj, në një vend ku helikopteri mund të ulej, dhe e transportoi drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka marrë njoftimin se në fshatin Kosovë, njësia administrative Piskovë, 5 turistë francez, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në një luginë (përua), ku njëra prej tyre ishte rrëzuar dhe kishte dëmtuar gjymtyrë dhe nuk mund të vijonte rrugën në këmbë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet në bashkëpunim me shërbimet e emergjencave civile dhe ekipin mjekësor u nisën në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët dhe bënë të mundur shpëtimin e tyre.
Turistët kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.
Policia e qarkut Gjirokastër është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.