Raporti i Komisionit Evropian për sistemin e drejtësisë në Shqipëri thekson se vijon të jetë shqetësim ndërhyrja në sistemin gjyqësor.
Një prej sfidave me të cilat po përballen institucionet e drejtësisë është numri i madh i çështjeve të pazgjidhura.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Gjykata e Posaçme Antikorrupsion po japin rezultate, theksohet në raportin e KE.
“Shqipëria ka nisur të zbatojë reformën thelbësore në drejtësi që nga viti 2016. Ka mangësi në emërimet e anëtarëve jo-magjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë i Prokurorisë. Plotësimi i vendeve vakante përbën një sfidë. Vijon të jetë shqetësim tentativa e ndërhyrjes dhe presioni mbi sistemin gjyqësor nga zyrtarët publikë apo politikanët. Përhapja e sistemit modern të integruar elektronik të menaxhimit të rasteve ka qenë prej kohësh në pritje. Mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore ndikojnë negativisht në cilësinë e drejtësisë.
Sfidat mbeten për sa i përket kohëzgjatjes së procedimeve dhe numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura, ndërsa masat e mëtejshme duhet të rriten, efikasiteti ende nuk është zbatuar. Është duke u përgatitur një Strategji e re Kundër Korrupsionit për 2024-2030. Ka rezultate fillestare inkurajuese të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjykatave të posaçme.
Numri i personave të hetuar, të ndjekur penalisht dhe të dënuar për korrupsion është rritur gjatë tre viteve të fundit, ndërsa një ligj i fundit për amnisti ngre shqetësimet. Koordinimi mes institucioneve të ngarkuara për parandalimin e korrupsionit dhe strukturat përkatëse ligjzbatuese mbeten të dobëta. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha, duke përfshirë edhe fushatat elektorale.
Janë kritikuar ndryshimet në Ligjin për komisionet hetimore duke kufizuar rolin mbikëqyrës të Parlamentit dhe janë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Polarizimi politik ndikoi negativisht në efektivitetin, transparencën dhe objektivitetin e punës parlamentare”, shkruhet në raport.