Marrëveshja mes dy partive të mëdha që prodhoi një formulë të re për ndarjen e mandateve ngriti shumë pikëpyetje nëse hartimi i  listave i lihet sërish në dorë kryetarit apo për të zgjedhurit në Kuvend vendos qytetari.

Pakti mes PS dhe PD parashikon që 1/3 e listës të jetë e mbyllur dhe e fiksuar nga lideri i partisë ndërsa vetëm në 2/3 të garohet për votën preferenciale. Por në realitet a u hapën apo jo listat?

Nëse e njëjta formulë do ishte zbatuar në zgjedhjet e 2021 në qarkun e Tiranës, i cili ka 36 mandate, në listën e Partisë Socialiste 12 kandidatët e parë do ishin të mbrojtur dhe preference e kryetarit dhe vetëm 6 prej tyre  do ishin preference e qytetareve për t’u ulur në Kuvend, ndërsa nga radhët e demokratëve nga  15 ulëse në Parlament, vetëm 3 do i caktonin qytetarët.

Formula e re nuk  u përqafua  nga deputetët e të dyja krahëve.

Në zgjedhje të shkuara vetëm 3 deputetë në total nga 12 qarqe arritën të thyenin listën e kryetarit,  por ndonëse me skemën e re të llogaritjes se mandateve numri do ishte më i lartë, sërish listat mbetën të mbyllura në 73 përqind të tyre dhe në Kuvendin e ardhshëm  nëse do merreshin për bazë rezultati i zgjedhjeve të fundit vetëm 37 deputetët do ishin preferencë e zgjedhësve pasi 103 të tjerë do ishin të përzgjedhurit e kryetarit edhe sikur të mos merrnin asnjë votë.