Projektligji për Policinë e Shtetit është një nga pikat e rendit të ditës të shtruara për diskutim në seancën e sotme plenare. Gjatë fjalës së tij, ministri Balla është shprehur se ligji i ri përmirëson menaxhimin e të gjitha formave në Policinë e Shtetit. Teksa ka prezantuar projektligjin, ministri Balla ka thënë se synohet që të nisë përdorimin i inteligjencës artificiale, një projekt për 20 qytete të vendit dhe të gjithë bregdetin shqiptar.

Taulant Balla: Ligji ka arritur dhe ka mundësuar që të adresojë rekomandimet për krijimin e kapacaiteteve të munguara në Policinë e Shtetit, të forcojmë strukturat organizuese dhe mbi të gjitha mendojmë se kemi gjetur metodat dhe ilaçin e duhur sa i përket parandalimit të konfliktit të interesit apo eliminimin e çdo veprimtarie korruptive në Policinë e Shtetit. Brenda 10 mijë forcave të Policisë së Shtetit ka edhe prej atyre që e tradhtojnë çdo ditë uniformën e Policisë së Shtetit. Pjesa më e madhe e Policisë së Shtetit janë njerëz të respektuar, të angazhuar dhe të dedikuar për ta bërë atë punë. Për asnjë nuk e vë dorën në zjarr. Viti 2030, Shqipëria anëtare e BE, e kam bindje.

Është akti nënligjor i parë, rregullorja e Policisë së Shtetit. Ky dokument para se të miratohet në qeveri, duhet të diskutohet dhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Synojmë të vendosim qytetarin në qendër të këtij ligji. Përkufizim më të qartë sa i takon autoritetit policor. Ligji përmirëson organizimin e Policisë së Shtetit, ai përmirëson menaxhimin e të gjitha formave në Policinë e Shtetit. Kemi deficite sa i takon Policisë, kemi numër shumë të vogël të Policisë së Shtetit.

Mali i Zi e ka dyfish. Jemi në një moment të rëndësishëm për të shkuar dhe për t’u rikthyer përsëri tek Akademia e SIgurisë, që do të garantojë në 2024-2025 marrjen e 100 studentëve të parë nga matura në një fakulturet të rendit dhe hetimit që në krye të 3 vite të kemi 100 nënkomisarë, grada kyçe sa i përket hetimit dhe parandalimit të krimit. Do të intensifikojmë dhe punën për pranimet si patrulla të përgjithshme. Ligji ka një qasje që lidhet me emërimin e drejtuesve të Policisë së Shtetit, do të ketë mandate në nivele drejtuese dhe përzgjedhja e tyre nuk do të bëhet më nga drejtori i Përgjithshëm, por përmes një procesi që kalon në këshilla emërimesh.

Përmes ligjit të fillojmë përdorimin e inteligjencës artificiale, projekt i madh për 20 qytetet e para dhe të gjithë bregdetin shqiptar për të pajisur me një sistem modern kamerash inteligjente në pjesën fundore të së cilës qëndron inteligjenca artificiale që do të zëvendësojë syrin subjektiv të punonjësit të policisë, një prej synimeve tona për të garantuar një kontroll të plotë të territorit në çdo ditë të vitit 24 orë. Sot jam i lumtur që falë kësaj pune të madhe të bërë me seriozitet, ne jemi në një moment të rëndësishëm për Policinë e Shtetit. Kemi arritur një rritje të mirë të pagave.