Menjëherë pasi u njoftua se ndaj tij ka nisur një procedim penal për thirrjet e dhunës në rrjetet sociale, avokati Genc Gjokutaj ka publikuar një tjetër status, në përpjekje për t’u shfajësuar.

Sipas tij, thirrjet për dhunë ishin metaforike. “Me thyeni çdo sportel qe ju merr shpirtin, nënkuptova kundërshtimin ndaj administratës së korruptuar në abuzimin me fondet publike, ndërsa me rrihni çdo polic që mbron hajdutët, kundërshtimin dhe mosbindjen civile ndaj shtetit që merr në mbrojtje hajdutët”, shkruan avokati i ish-kryeministrit, që thekson më tej se “asnjëherë nuk ka shkelur ligjin”.

“Mbrëmë kam bërë një status, në të cilin bëhet fjalë mbi konceptin tim për rrotacionin politik, i cili duhet të bazohet te protesta popullore!

Thirrjet ne status si… thyeni çdo sportel që ju merr shpirtin nënkupton kundërshtimin ndaj administratës së korruptuar në abuzimin me fondet publike!

Thirrja…. rrihni çdo polic që mbron hajdutet, nënkupton kundërshtimin dhe mosbindjen civile ndaj shtetit që merr ne mbrojtje hajdutët!

Thirrja ….”vrisni” çdo patronazhist që ju vjedh të ardhmen dhe familjen nënkupton zhdukjen e sistemit te patronazhimit, i cili vjedh votën e lirë!

Te nderuar Miq!

Sot nëpërmjet Medias erdha në dijeni të procedimit penal ndaj meje ne lidhje me këtë status!

Konsideroj dhe bej me dije se asnjëherë në jetën time nuk kam shkelur ndonjëherë ligjin!

Protesta ime e shprehur ne çdo lloj forme nuk ka lidhje me dhunën por me forcën e Opozitës në përballjen me Shtetin qe po gërryhet çdo ditë nga korrupsioni!

Ju garantoj se kam qene e mbetem një kundërshtar i kësaj Mazhorancë duke luftuar çdo dite për mbrojtjen e Ligjit dhe Lirisë së nëpërkëmbur nga Pushteti”, shkruan Gjokutaj.

Avokati Genc Gjokutaj është vënë nën hetim për veprën penale “thirrje publike për veprime të dhunshme”.