Në deklaratën e Presidentit lihet të kuptohet se transaksionet me kreditë me probleme nga viti 2012 deri në 2016 nga subjektet e licensuara nga Banka e Shqipërisë ishin të paligjshme. Presidenti mendon se ky aktivitet është rregulluar dhe licensuar në vitin 2016.· Ky konkluzion, sipas Bankës është i pasaktë sepse cdo subjekt me licensë për kredi dhënie ka pasur dhe ka të drejtën të shesë e blejë portofol të mirë apo të keq.


· Nga ana e aspektit licensues, ky rregullim solli ndryshim vetem per ato institucione te reja qe mund te futeshin ne treg, portofoli i të cilave do të përbëhej 100% vetem nga kredi me probleme.


· Banka e Shqiperise pohon se, në asnjë moment as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri, por vetëm ka përmirësuar më tej kuadrin rregullativ mbikëqyrës për blerjen e kredive me probleme duke mundësuar ekuilibrat më të mirë të mundshëm midis ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së konsumatorit


· Banka e Shqipërisë pohon se ka mundësuar që brenda dekadës së fundit kredia me probleme të ulet 5 herë duke u vendosur në nivelet më të ulëta historike, ka përmirësuar drastikisht kuadrin rregullator në funksion të mbrojtjes së konsumatorit duke bërë që interesat për kredinë të ulen me 3 herë brenda 3 viteve të fundit, por mbi të gjitha, kemi garantuar shëndetin financiar të vendit, duke mbajtur të sigurta kursimet e miliona qytetarëve.

Banka e Shqipërisë ka reaguar sot me një deklaratë zyrtare, pasi Presidenti i Republikës publikoi dje një letër të drejtuar Kuvendit të Shqipërisë ku, mes të tjerash, sugjeronte hetimin parlamentar veprimtarisë së bankës qendrore në mbikëqyrjen e institucioneve të mbledhjes së kredive të këqija.

Në reagimin e saj, Banka e Shqipërisë shprehet se ka përmbushur kurdoherë misionin e saj kushtetues: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të atij financiar në vend.

“Me masat dhe veprimet tona ndër vite, ne kemi kontribuar që Shqipëria të përballojë me sukses pasojat e një sërë krizash financiare, kemi mundësuar që brenda dekadës së fundit kredia me probleme të ulet 5 herë, duke u vendosur në nivelet më të ulëta historike,  kemi përmirësuar rrënjësisht kuadrin rregullator në funksion të mbrojtjes së konsumatorit duke bërë që interesat për kredinë të ulen me 3 herë brenda 3 viteve të fundit, por mbi të gjitha, kemi garantuar shëndetin financiar të vendit, duke mbajtur të sigurta kursimet e miliona qytetarëve,” shprehet Banka e Shqipërisë.

Duke sqaruar edhe njëherë rolin e saj në licencimin e këtyre institucioneve, Banka e Shqipërisë shprehet se, në asnjë rast, as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri, por vetëm ka përmirësuar më tej kuadrin rregullativ mbikëqyrës për blerjen e kredive me probleme.

Sipas saj, ky ishte një format i propozuar dhe mbështetur fuqimisht nga institucionet partnere ndërkombëtare për ta adresuar këtë fenomen, FMN dhe BB. Banka e Shqipërisë citon deklaratën e fundit zyrtare të FMN-së, ku thuhet se “…Është një çështje e njohur publikisht që analizat në kuadër të programit të mbështetur nga FMN në vitet 2015 dhe 2016 identifikuan nivele të larta të kredive me probleme, si një element cenueshmërie për sektorin bankar.

Në këtë kontekst, FMN miratoi planin e veprimit të autoriteteve shqiptare të vitit 2015 për të reduktuar kreditë me probleme. Ky plan, mes të tjerash, i dha Bankës së Shqipërisë mandatin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të menaxhimit të kredive me probleme, duke pasur parasysh ndërlidhjen e tyre me sistemin bankar. …”.

Banka e Shqipërisë, në përmbushje të të gjitha kritereve rregullatore dhe respektim të plotë të kërkesave ligjore, mbështetur në analiza të thelluara të riskut, si dhe me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë e bashkëpunimin e institucioneve në vend, licencoi në vijim subjektet të cilat i përmbushnin plotësisht kriteret rregullatore.

Në vijim, gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të veprimtarisë së këtyre shoqërive, Banka e Shqipërisë ka ushtruar me profesionalizëm të plotë funksionin e saj mbikëqyrës, në respektim të detyrimeve ligjore dhe rregullatore.

Nga momenti i licencimit, të gjitha këto subjekte iu janë nënshtruar inspektimeve periodike nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe konkretisht, inspektime të vazhdueshme nga jashtë, ekzaminime të plota dhe atyre të pjesshme, si dhe monitorimit 3-mujor të pasqyrave dhe treguesve financiarë të raportuar prej tyre.

Përgjatë gjithë këtij procesi, Banka e Shqipërisë ka marrë sa herë e nevojshme masat e duhura mbikëqyrëse, të cilat, në rastet më të fundit, janë përshkallëzuar deri në revokim të plotë të licencës së subjekteve që gjatë ushtrimit të aktivitetit kishin shkelur detyrimet rregullatore të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, të materializuara në vendimmarrje të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, janë ndërmarrë edhe një sërë iniciativash institucionale, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në mbrojtje të konsumatorit, si:

  • kufizimin e masës së penaliteteve të detyruar për t’u paguar nga kredimarrësit në vonesë në jo më shumë se 30% të shumës totale të detyrimit të mbetur të kredisë;
  • vendosjen e një kufiri të normës maksimale të interesit;
  • heqjen e pagesës së një penaliteti në rast të shlyerjes para afatit të disa prej kategorive të kredisë;
  • heqjen e tarifës së marrjes së raportit të kredimarrësit nga Regjistri i Kredive që administrohet nga Banka e Shqipërisë për konsumatorët kredimarrës; etj.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë bën të ditur se po punohet me asistencën e Bankës Botërore, mbi rishikimin e kuadrit rregullator mbikëqyrës, duke pasur veçanërisht në fokus mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka.

Lidhur me trajtimin e ankesave të publikut, theksohet edhe njëherë se numri më i madh i ankimimeve të mbërritura në Bankën e Shqipërisë nga klientët e këtyre shoqërive lidhet me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm, proces në të cilin Banka e Shqipërisë nuk ka kompetenca ligjore.

Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë shprehet se ka qenë e vëmendshme ndaj problematikave që kanë shoqëruar edhe këtë pjesë të procesit, pavarësisht se përtej juridiksionit të saj. Në funksion të zgjidhjes së tyre, Banka e Shqipërisë vijon të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë si dhe i ka trajtuar në vazhdimësi këto çështje në të gjitha komunikimet me Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve, si dhe me Shoqatën Shqiptare të Bankave.

Konkretisht, Banka e Shqipërisë sugjeron edhe njëherë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në:

  • Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë;
  • Hartimin, në bashkëpunim me Bankën Botërore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka;
  • Përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për penalitetet dhe normat e interesit;
  • Shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me 2 nivele;
  • Regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofolave, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e interesit;
  • Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, hartimin e një ligji të veçantë për kamatat ligjore për kredinë konsumatore dhe hipotekare.

“Sot, miliona shqiptarë i kanë besuar sistemit bankar e financiar rreth 16 miliardë euro, sistem mbi të cilin Banka e Shqipërisë vigjilon pareshtur, ndaj çdo keqinformim mbi rolin dhe funksionet e Bankës së Shqipërisë rrezikon cenimin e reputacionit të këtij institucioni, i cili ka marrë kurdoherë vlerësime maksimale nga partnerët dhe institucione prestigjioze ndërkombëtare.

Por mbi të gjitha, duke iu referuar sërish deklaratës së fundit zyrtare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, citojmë: “…Gjithashtu, duam të shtojmë se ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është një faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar…” cenimi i reputacionit përbën një rrezik tepër serioz mbi stabilitetin financiar dhe qëndrueshmërinë në vend!” thuhet në reagimin e Bankës së Shqipërisë.

Revista Monitor