Sipas kryetarit të KZAZ 88 në Himarë mbi 200 votues deri tani për shkak të kartave të skaduara nuk janë lejuar të votojnë.

Kjo ka shkaktuar reagimin e Omonias në Himarë, e cila shprehet se kartat u dhanë në mënyrë selektive, ndërsa akuzon qeverinë për mosnxjerrjen e aktet përkatëse ligjore.

“Që me nisjen e procesit zgjedhor në Bashkinë Himarë, me insistimin e komisionerëve të Partisë Socialiste, dhjetëra zgjedhësve u refuzohet e drejta e votimit me pretendimin e dokumenteve të identifikimit të skaduara.

Në kundërshtim me praktikat e aplikuara në proceset e mëparshme zgjedhore, Kryeministri Rama refuzoi të nxjerrë aktet përkatëse ligjore që do të garantonin të drejtën e votës për të gjithë zgjedhësit.

Kompania shtetërore e prodhimit të kartave të identitetit, ishte vënë gjatë ditëve të fundit në shërbim të Partisë Socialiste, duke u shërbyer qytetarëve në menyrë selektive. Anëtarëve të PS u rinovoheshin dokumentet në mënyrë të organizuar brenda 24 orëve, ndërsa qytetarëve të tjerë u kërkohej të paraqiteshin pas 15 ditësh.

Në total, nga 23074 zgjedhës të regjistruar, 6157 janë apriori të privuar nga e drejta e zgjedhjes me vendim dhe përgjegjësi të Qeverisë Rama.”, sipas reagimit të Omonoia Dega Himarë.