Reperi i njohur Noizy dhe Dj i tij Bahtjar Bajraktari është vënë në pranga në mesnatë në një klub nate, teksa performonin në qytetin bregdetar të Shëngjinit.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit arrestimi i tyre u bë i mundur nga operacioni i koduar “Fast”, pasi ishin shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”. Kapen nga Fast Albania dhe vihen në pranga 2 shtetas të kërkuar nga Policia e Kosovës.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.

Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina.

Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Noizy dhe Dj i tij akuzohen  për dhunën ndaj personazhit të TikTok Medi Iseni, pasi e akuzon për ‘’lëndime të rënda trupore’’ në një klub nate në Kosovë.

Më herët Noizy ka reaguar në rrjetet sociale, ku përmes një shkrimi në Instagram ai shprehet ky denoncim është i padrejtë dhe nuk ka lidhje me ngjarjen e ndodhur. Këngëtari ka kërkuar ndjesë për personat që janë shqetësuar nga reagimi i tij, pasi siç thotë ai, “nuk është përballur më parë me situata të tilla”.

Noizy sqaron se nuk ndodhet në arrati, por po ndjek rrugën ligjore dhe se do të sqarojë situatën e plotë, ku reperi shprehet se ka rënë viktimë, pa pasur asnjë lidhje me rastin në fjalë.