Gjykata e Posaçme shpall vendimin dhe lë në fuqi masat e sigurimit për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe 6 të dyshuarit e tjerë, prej të cilëve dy në paraburgim, të akuzuar nga SPAK për skandalin e zhvatjes së fondeve të BE-së nëpërmjet agjencisë SASPAK.
Ish-zyrtari i lartë që dha dorëheqjen pas hetimeve dhe marrjes i pandehur për dosjen e parë të koncesioneve në Shëndetësi, ku po gjykohet me gjendje të lirë, kishte kërkuar lirimin për dosjen e dytë, kundrejt garancisë prej 5 milionë lekëve. Avokati pretendoi se ish-ministri Beqaj nuk përbën rrezik arratie apo shoqërore, për të prishur provat dhe penguar prokurorët, por GJKKO njoftoi pak më parë se nuk i ndryshon masat “arrest me burg” apo derivatet e tyre penale për të 7 të dyshuarit.
Beqaj dhe dy prej të dyshuarve kanë masat shtrënguese “arrest me burg” dhe qëndrojnë në qeli prej disa javësh, kurse për 4 të tjerët ka arrest shtëpiak dhe detyrim paraqitjeje.
SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues i SASPAC në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish-ministri, përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.
Mes 8 prokurimeve fiktive të zbuluara, SPAK evidenton pikërisht një të lidhur me ‘Landëays International’. SASPAC i dha 125 mijë € kompanisë së biznesmenit Gazmend Haxhia për organizimin e një konference turizmi “Festa”. Por për të njëjtin event, dhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 mln lekë të reja. Pra gjithsej për të njëjtin aktivitet u paguan nga dy institucioneve shtetërore mbi 500 mijë €, ndërsa në fund i vetmi shpenzim i regjistruar është ai i një darke mundësuar nga “Gzona” me vlerë rreth 41 mijë euro.
Ish-ministri ndodhet i pandehur po në GJKKO edhe për koncesionet 100 mln euro të Shëndetësisë, dosje për të cilën SPAK ka nën akuzë 8 persona, mes tyre të ndaluarit ish-zv/ministrin Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Por për këtë dosje ndaj Beqajt nuk ka pasur masë shtrënguese dhe ndiqej në gjendje të lirë, derisa u zbulua skandali me fondet e agjencisë.