Athina po përballet me zjarre të mëdha të cilat në periferi kanë djegur dhjetëra shtëpi dhe makina, ndërsa shkatërrimi ekologjik është vërtet i pallogaritshëm, pasi mijëra hektarë pyje me pisha janë bërë hi.

Zjarrfikësit janë përqëndruar në dy fronte, në Kallitechnoupoli dhe Grammatiko, në veri, ndërsa situata është përmirësuar në Varnavas dhe Dionysos, shkruan cnn grek.
Mbi 670 zjarrfikës, 27 grupe me punonjës të pyjeve, 183 makina dhe 32 mjete fluturuese vijojnë prej 20 orësh luftën me zjarret.Do të vijojmë deri kur të kemi shuar dhe vatrën e fundit’ theksoi ministri i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile Vasilis Kikilias.  Tashmë janë evakuar banorët në Drafi, Dioni ,Dasamari si dhe ata të Pentelit dhe Nea Pentelit dhe Kallitechnoupoli.

Situata mbetet shqetësuese për shkak se në orët në vijim pritet shtim i erës, çka do të vështirësojë punën e zjarrfikësve.

‘Zjarri është jashtë kontrollit në Atikën Veriore’ shkruajnë në titujt e tyre mediat greke duke e përshkruar natën e mbrëmshme të frikshme për të gjithë rezidentët dhe për zjarrfikësit që kanë punuar pa u ndalur për të shuar flakët që shtrihen në një sipërfaqe prej më shumë se 30 kilometrash dhe djegin gjithçka. Në disa vende flakët kanë arritur dhe në 25 metra lartësi.