Franca i dha lamtumirën të hënën Lojërave Olimpike, pas dy javëve magjepsëse, ndërsa sportistët u kthyen në shtëpi pas performancave të tyre në shfaqjen më të madhe në planet.

Ndërkohë, bashkë me atletë dhe zyrtarë amerikanë, në bordin e Delta Airlines që zbriti të hënën në Los Anxhelos ishte dhe flamuri olimpik, që do të valvitet në vitin 2028, kur qyteti të presë Lojërat e ardhshme Verore.

Me këngën “California Love” në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Los Anxhelosit, kryetarja e bashkisë së Los Anxhelosit Karen Bass doli nga avioni e veshur me tuta të kuqe të Team USA, ndërsa u shpreh se është “krenari dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme” që iu dha flamuri Olimpik në Paris të dielën.

Organizatorët amerikanë tani e ndjejnë vërtet “nevojën për të vënë këmbën në gaz”, tha ajo.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i dha Los Anxhelosit të drejtën në vitin 2017 për të pritur Lojërat 2028. Do të jetë hera e tretë që LA do të presë Lojërat në epokën moderne, pasi ishte qyteti pritës në 1932 dhe 1984.

Problemi i të pastrehëve është një ndër sfidat që duhet kapërcyer deri në 2028, ndërsa një tjetër sfidë është përballë trafikut të rënduar në qytet.