Ukraina goditi sërish rajonet ruse me raketa dhe dronë duke marrë nën kontroll 74 vendbanime në rajonin Kursk të Rusisë.

Kreu i Belgorodit të Rusisë ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme duke thënë se situata ishte “jashtëzakonisht e vështirë” në rajonin kufitar nën bombardimet ukrainase. Mbrojtja ajrore e Rusisë shkatërroi 117 dronë dhe katër raketa taktike të lëshuara gjatë natës nga Ukraina duke synuar disa rajone, përfshirë Kursk.

Ushtria e Kievit ka shënuar përparim në drejtime të ndryshme deri në 3 kilometra në 24 orët e fundit, si dhe ka zënë territor të ri prej 40 kilometra katrorësh. Gati 200,000 njerëz kanë ose po ikin nga shtëpitë e tyre në Rusi, sipas zyrtarëve lokalë. 

Ukraina ka bërë të ditur se nuk është e interesuar të mbetet në territorin rus, por ka deklaruar se sa më shpejt Rusia të pranojë të rivendosë një paqe të drejtë, aq më shpejt do të ndalen sulmet e forcave të mbrojtjes ukrainase në Rusi.

Presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky ka bërë të ditur se me gjithë vështirësitë dhe betejat intensive, përparimi po vazhdon, ndërsa qindra ushtarë rusë janë dorëzuar në duart e forcave ukrainase në rajonin e Kurskit dhe se të gjithë atyre u garantohet trajtim njerëzor.

Presidenti i SHBA, Joe Biden tha se zyrtarët amerikanë ishin në kontakt të vazhdueshëm me Ukrainën për ofensivën në rajonin perëndimor të Rusisë,për të cilën ai tha se kishte krijuar një dilemë të vërtetë për Putinin. Nga ana tjetër, Departamenti amerikan të Shtetit ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara nuk janë angazhuar në asnjë aspekt të planifikimit apo përgatitjes së sulmit të papritur të Ukrainës në Rusi.

Një zyrtar amerikan tha se qëllimi i inkursionit në Kursk duket se ishte të detyronte Rusinë të tërhiqte trupat nga Ukraina për të mbrojtur territorin rus kundër sulmit ndërkufitar.