Kufizimi i përdorimit masiv të euros për pagesa brenda vendit, sjell pasoja pozitive për ekonominë dhe familjet shqiptare, pasi ulet ekspozimi nga rreziku i luhatjeve në kursin e këmbimit dhe nga ana tjetër, do të ulte informalitetin në këmbimin euro-lekë.
“Ne euron nuk e gjejmë vetëm në transaksionet me vlerat e mëdha por edhe në supermarket, ku është i përcaktuar kursi sipas supermarketit jo sipas atij zyrtar. Në jug 1 euro ta marrin me 90 lekë. Nëse e frenon, mbron nga një anë qytetarët që konvertimin do ta bëjnë në institucionet zyrtare dhe jo në mënyrë informale dhe njëkohësisht rrit edhe kontrollin e tregjeve. Përsa kohë ne në Shqipëri i kemi shpenzimet në lekë, dhe të ardhurat në lekë, shumë i kufizuar është numri i atyre që i kanë në euro, dhe automatikisht për ta mbrojtur ekonominë familjare duhet të paguajmë në lekë. Gjykoj se duhet kufizuar që të mbrohet familja shqiptare që po dëmtohet nga kursi i këmbimit”, shprehet ekspertja ekonomisë Teuta Nunaj Kortoçi.
Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj Kortoçi thotë për Report TV se kufizimi i pagesave në euro është i mundur, por fillimisht duhet bërë një analizë nga Banka e Shqipërisë. Sipas saj një tavan i arsyeshëm do të ishte 1000 euro, dhe poshtë kësaj vlere të mos lejohen pagesa në monedhën evropiane.
“Ne mund të kufizojmë përdorimin e euros në transaksionet tona. Mund të realizohet pasi është një vendimmarrje bazuar në zhvillimin ekonomik dhe nëse Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet publike patjetër që bëhet. Nëse do të ndërmerret mund të nisë fillimisht me hapa, zvogëlimi i transaksioneve të euros në vlera nën 1000 euro për tu rritur më tej, derisa të vendoset që çdo transaksion të bëhet në monedhën kombëtare. Kështu që nuk është e lehtë ta marrësh një vendim të tillë”, tha Nunaj.
Banka e Shqipërisë ka sqaruar për Report TV se përdorimi i euros për të blerë në dyqane, qendra tregtare apo për të paguar fatura restorantesh duhet të ndalohet në mënyrë kategorike. Sipas Bankës, opsion është edhe vënia e një tavani për vlerën e pagesave që mund të lejohen në euro.
Tashmë nuk mund të flitet më për një normalitet të ri në kursin e këmbimit. Euro po humbet çdo ditë pikë përballë lekut. Sot po këmbehet me 99.7 lekë, nga 99.8 lekë që ishte.
credit shqiptarja.com