Ura e Ibrit po sjell përplasje mes Kosovës dhe aleatëve, ndërsa këta të fundit kërkojnë që ura mos të hapet në këtë moment, por të diskutohet edhe njëherë në tryezën e dialogut me Serbinë.

Një ditë pasi presidentja Vjosa Osmani e quajti racist, zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano paralajmëroi se Kosova rrezikon të mbetet e vetme dhe mbrapa, nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët e saj. Stano shton se ky qëndrim është bërë i qartë nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe.

“Dua t’i rikujtoj të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës [BE, SHBA, NATO dhe Britania e Madhe] kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa”, tha Stano.

BE përsërit edhe njëherë qëndrimin se Qeveria e Kosovës duhet të koordinohet me aleatët dhe të bisedojë me komunitetet që preken nga ato. Sipas Stanos, diskutimi për Urën e Ibrit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk do të thotë marrëveshje e re, por diskutim rreth zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur.

“Mund ta përsëris atë që e kemi këshilluar Prishtinën disa herë: Qeverisja e mirë do të thotë të kontaktosh dhe të angazhohesh me komunitetet të cilat preken nga vendime specifike. Të merresh me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja nënkupton të diskutosh modalitetet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura për urën, jo marrëveshje të reja. Duhet të dëgjojë dhe të përpiqet të kuptojë këshillat unanime të të gjithë miqve dhe aleatëve”, ka shtuar Stano.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it.

Shqetësimet për sigurinë

Synimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës ka hasur në kundërshti nga serbët lokalë, Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare. Serbët lokalë kanë shprehur frikë për sigurinë e tyre, por në debatin e organizuar nga Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe Qeveria e Kosovës, institucionet kanë garantuar siguri në rast të hapjes së urës.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier më 13 gusht tha se hapja e urës në këtë kohë, paraqet rrezik të vërtetë, që mund të ndikojë edhe në sigurinë e ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të enjten se Kosova nuk duhet ta pyesë Serbinë për hapjen e urës brenda territorit të Kosovës, dhe nuk duhet pranuar që të diskutohet për këtë çështje në dialogun e Brukselit. Sipas saj, deklaratat e fundit të BE-së në këtë temë janë “raciste” dhe se Kosova duhet koordinuar plotësisht me Shtetet e Bashkuara sa i përket hapjes së urës.