Familjarja e njërit prej të paraburgosurve në burgun e Fierit është arrestuar, pasi tentoi t’i dërgonte drogë të afërmit të saj.
Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit fizik të familjares Limoza Bahi Xhelali, 66 vjeç, e cila ishte duke u përgatitur për të takuar të paraburgosurin Mariglen Gashi, i arrestuar për vjedhje.
Kontrolli u krye në pjesën e atleteve të zonjës Xhelali, ku u gjet lënda e dyshuar narkotike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme kriminalistike.
Sasia e kanabisit rezultoi me peshë totale 32.45 gramë.
Lidhur me këtë rast, është informuar menjëherë Prokurori i Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksion i Përgjithshëm Fier, i cili po ndjek veprimet e mëtejshme proceduriale.
Në vijim të hetimeve, u krye edhe një kontroll në banesën e shtetases Limoza Xhelali nga forcat e policisë Lushnjë, ku nuk u gjetën sende të paligjshme.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është duke vazhduar me veprimet proceduriale të nevojshme.
Shtetasja Limoza Xhelali u arrestua dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, në bazë të neneve 324/a dhe 283 të Kodit Penal.