23 vatra zjarri janë raportuar në vend gjatë 24 orëve të fundit, 16 prej të cilave janë shuar, sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.
Aktualisht, po punohet në fshatin Surroj, njësia administrative Surroj, bashkia Kukës. Zjarri vazhdon aktiv prej ditësh në një sipërfaqe pyjore. Në terren u angazhuan 17 forca nga strukturat vendore të bashkisë dhe 17 efektivë nga Forcat e Armatosura, të cilët kanë vënë plotësisht nën kontroll vatrën e zjarrit. Aktualisht punonjësit e ADZM po e monitorojnë deri në shuarjen përfundimtare; në fshatin Tetaj, njësia administrative Lekbibaj, bashkia Tropojë, u izolua zjarri nga forcat e strukturave vendore të bashkisë Tropojë. Aktualisht situata është nën monitorim.
Në fshatin Mnelë e Vogël, njësia administrative Vig-Mnelë, bashkia Vau-Dejës, është riaktivizuar vatra e zjarrit. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha në një zonë pyjore.
Në fshatin Lajthizë, njësia administrative Orosh, bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një zonë malore me pisha dhe të pa aksesueshme nga mjetet zjarrfikëse. Zjarri ka ardhur nga shtrirja e vatrës nga fshati Arrën, bashkia Kukës po zbret në anën e fshatit Shëngjin, njësia administrative Fan me intensitet te ulet, në zonë shkëmbore pa bimësi. Ndërhyrja ka qenë e pamundur për shkak të terrenit; në malin Kreshtë në afërsi të fshatit Krajnë, njësia administrative Blinisht, bashkia Lezhë, po afrohet zjarri i ardhur nga zona Vig – Mnelë.
Rreth orës 21:10 të datës 27, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ka rënë zjarr në një terren të vështirë në afërsi të kishës së Shën Eufemisë në Kallmet. Në terren shkuan forcat nga bashkia Lezhë, por nuk kanë arritur ta vendosin nën kontroll vatrën e zjarrit. Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, era ka ndërruar drejtim dhe zjarri që ka marrë përmasa të mëdha rrezikon seriozisht djegien e banesave.
Në fshatin Pejkë, njësia administrative Melan, bashkia Dibër. Vatër zjarri e zhvilluar në sipërfaqe me dushqe e lajthi, por që ka shtrirje territori të ndihmuar nga era dhe temperaturat e larta.