Gazetarja e njohur, Laura Sandres, ka mbetur e befasuar nga udhëtimi disa ditor në Shqipëri.
Në një artikull të publikuar në të përditshmen “Indipendent” me titull “Në Kufirin e fundit të egër të Europës”, Sanders, krahas plazheve fantastike dhe detit që tashmë tërheq mijëra turistë nga e gjithë Europa, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe turizmit malor dhe bukurive natyrore që ofron Shqipëria, sidomos në Veriun e saj.
“Shkova në kufirin e fundit të vërtetë të egër të Evropës për të gjetur aventura dhe për të shpëtuar nga turmat. Është shpallur si destinacioni tjetër i madh i pushimeve në plazh, por për ata që nuk e dinë, tre të katërtat e Shqipërisë janë male, lumenj dhe liqene.
Edhe një javë pasi u ktheva nga Shqipëria, në mendjen time isha ende në Bjeshkët e Nemuna, një emër i përshtatshëm për kreshtat me pyje të dendura të ahut që qëndronin para meje”.
Laura, një eksperte e udhëtimeve, që tani punon e pavarur, dhe shkruan për media prestigjioze si “Conde Nast Traveller”, “iNews”, “The Independent” dhe The Telegraph, e përshkruan Shqipërinë dhe turizmin që të ofron ky vend si një detoks për jetën moderne.
“Kam parë skena që ngjasojnë me Andet peruane, ishte e vështirë të besohej se ishte vetëm tre orë fluturim larg shtëpisë time në Mbretërinë e Bashkuar. Këto peizazhe të pazbutura kanë pak shenja qytetërimi, pa llogaritur numrin në rritje të alpinistëve në Qafën e Valbonës”.
Përshkrimeve të jashtëzakonshme të Sanders nuk mund t’u mungonte Lumi i Vjosës, për të cilin thotë se “Vjosa është shumë e fuqishme dhe mbetet lumi i fundit krejtësisht i paprekur i kontinentit jashtë Rusisë”.