Për herë të parë të drejtën e votës vitin e ardhshëm pritet ta kenë edhe emigrantët, të cilët do të votojnë atje ku ndodhen pa qenë e nevojshme të vijnë në Shqipëri. Për të bërë të mundur regjistrimin e diasporës dhe për realizuar prokurimet për sistemet e identifikimit elektronik për zgjedhjet e 2025-ës, qeveria i ka akorduar një fond shtesë prej 351 milionë lekësh Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e këtij viti.
“Shtesa e fondeve për KQZ-në, me qëllim avancimin në vitin 2024 të procedurave të prokurimit për zgjedhjet e përgjithshme 2025 dhe garantimin kësisoj të implementimit në kohë të fondeve buxhetore për këtë proces, thuhet në relacionin e rishikimit të buxhetit të këtij viti.
Me këtë shtesë, 250 milionë lekë do të përdoren vetëm për përgatitjen për zgjedhjet, dhe 101 milionë lekë do të shpenzohen për planifikim, menaxhim e administrim brenda institucionit.
Buxheti i KQZ me këtë rishikim është më shumë se dyfishuar, nga 300 milionë lekë që ishte në 651 milionë lekë. Për zgjedhjet e ardhshme parlamentare miliona planifikohen edhe për vitin e ardhshëm. Referuar shifrave të Ministrisë së Financave, në buxhetin e vitit 2025 do të caktohen 2 miliardë lekë si fond rezervë për organizimin e zgjedhjeve.
Këto fonde sipas dokumenteve të Ministrisë së Financave do të sigurojnë edhe implementimin e votimit elektronik, numërimit elektronik dhe të sistemit elektronik të identifikimit të votuesve në zgjedhjet e 2025.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë kërkesë pranë Ministrisë së Financave për një fond ekstra për zgjedhjet e 2025-s në total afro 4.6 miliardë lekë për shtimin e pajisjeve për votim-numërim-identifikim elektronik, si dhe për shpërblimin e anëtareve të KZAZ, KQV, GNV dhe trajnuesve te tyre, apo për punonjësit e përkohshëm për zgjedhjet qendrore të vitit 2025.