Nga Telnis Skuqi
Historia politike e qarkut të Gjirokastrës është shndërruar në një cikël të pafund, një rreth vicioz ku energjia e qytetarëve është humbur në vorbullën e pasivitetit dhe të pandryshueshmërisë. Ky pasivitet nuk është më i pranueshëm.
Nuk është fjala për emra të rinj apo figura të reja; është fjala për një filozofi të re, për një qasje që kupton se njerëzit nuk kërkojnë përsosmëri, por përfaqësim të vërtetë dhe krejtësisht normal.
Elektorati i qarkut të Gjirokastrës dëshiron emra që u flasin me zë të sinqertë dhe me një angazhim të thellë për të ndryshuar jetën e tyre. Ata duan të ndjejnë se vota e tyre ka vlerë, se ata nuk janë thjesht numra në një kuti votimi.
Është koha që Partia Demokratike dhe lidershipi i saj qendror të kuptojnë se ky qark nuk është një bastion për humbje të paracaktuara, por një fushëbetejë ku shpresa mund të sjellë ndryshim.
Për ta bërë këtë, duhet të shkëputemi nga prangat e së kaluarës dhe të pranojmë se çdo dështim është një mundësi për t’u ngritur më të fortë.
A është e vështirë të kuptosh se njerëzit nuk duan më të njëjtën rrugë të dështuar, të njëjtin përfaqësues që u ka sjellë vetëm humbje dhe zhgënjim?
A është e vështirë të kuptosh se qytetarët kërkojnë diçka të re, diçka që u jep jetë dhe kuptim besimit të tyre politik?
Për të gjitha vajzat dhe djemtë e këtij qarku, për të gjithë ata që ndihen të lodhur nga politika e vjetër, por ende e duan këtë vend, është koha për një qasje të re dhe për emra që nuk janë simbol i dështimit.
Gjirokastra meriton më shumë dhe është në duart tona të kërkojmë të ardhmen që duam.
Fatkeqësisht, përfaqësuesi politik i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, nuk është e ardhmja. Koha për të ndryshuar nuk është nesër, po tani.