Kryesia e Partisë Demokratike ka caktuar dje drejtuesit politikë për zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Megjithëse ata do të drejtojnë grupin e kandidatëve për deputetë në fushatë, kryetari i PD-së, Sali Berisha u kujdes të thotë se lista përfundimtare e kandidatëve do të hartohet mbi rezultatin e primareve që do të zhvillohen dhe asnjë prej tyre nuk e ka vendin e sigurt.

Por në këtë listë bie në sy fakti se disa prej mbështetësve të Sali Berishës që në ditët e para kur nisi lëvizjen për ti rimarrë partinë Lulzim Bashës, tashmë e shohin veten jashtë.

Kështu në qarkun e Lezhës, në zgjedhjet e fundit drejtuese politike ishte Jozefina Topalli. Ish-nënkryetarja e demokratëve tashmë nuk e ka më këtë pozicion dhe në vend të saj është emëruar dje Agron Gjekmarkaj.

E njëjta gjë ka ndodhur me Korçën ku Edmond Spaho drejtoi fushatën në zgjedhjet e fundit dhe ishte nga deputetët që u pozicionua që në fillim në krah të Sali Berishës. Ai largohet për t’i lënë vendin Ivi Kasos.

Në Berat është larguar Tomorr Alizoti, edhe ky një mbështetës i kryetarit të Partisë Demokratike dhe vendin e tij e ka zënë Eno Bozdo, ndërsa në Fier Luan Baçi, megjithë kundërshtitë e tij të forta, është detyruar t’i hapë krahun Gazment Bardhit.

E njëjta logjikë është ndjekur edhe në qarkun e Kukësit, ku Isuf Çela i ka lënë vendin deputetit Flamur Hoxha.