Hapet gara për kreun e ri të Policisë së Shtetit dhe për drejtuesit e 12 qarqeve dhe strukturave kyçe të policisë.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, që vetë u emërua në këtë detyrë një muaj më parë, ftoi të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji, të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm.

Sipas ministrit, përzgjedhja e drejtorëve të rinj do të bëhet në bazë të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë.

“Asgjë nuk do të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së tyre, veç meritës e integritetit”, tha Hoxha, në takimin me nivelin drejtues të Policisë së Shtetit në qendër dhe në nivel vendor.

“Votimi i emrit tim në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë këtë detyrë kaq të lartë ishte nderi më i madh që mund të më bëhej si qytetar i kësaj Republike dhe shpërblimi i gjithë këtij betimi është borxhi më i madh ku mund të futesha në jetën time si një njeri i këtij vendi. As nuk e dyshoj se plot të tjerë mund të kishin kredenciale më të forta për të qenë në vendin tim, që nga ato politike dhe deri tek kredencialet e lidhjeve miqësore. Ky fakt ma bën edhe më të rëndë peshën e përgjegjësisë për ta merituar vlerësimin që mu bë, duke ma besuar këtë detyrë.

Uroj që kështu ta shohin promovimin në karrierë edhe Drejtori i ri i Përgjithshëm dhe drejtuesit e rinj të qarqeve e të strukturave kyçe të Policisë së Shtetit, në këtë kohë historike të Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ata do të zgjidhen në javët në vijim me të njëjtën frymë dhe kredenciale, të njëjta të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë. Asgjë nuk do të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së tyre, veç meritës e integritetit.

Ligji i ri i sapomiratuar i Policisë së Shtetit, merita kryesore për përmbajtjen shumë të mirë që i takon paraardhësit tim të nderuar Taulant Balla dhe drejtuesve aktual të Policisë së Shtetit, është një platformë e shkëlqyer për reformimin dhe modernizimin e mëtejshëm të trupës sonë policore.

Në bazë të këtij ligji kam nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga.

I ftoj të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature”.