Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se dy pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdarja dhe Bërnjaku vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Ndërsa, pika kufitare në Jarinje vazhdon të jetë e bllokuar për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.

Së pari u mbyll pika kufitare në Bërnjak, ku ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla njoftoi se grupe ekstremistësh të maskuar në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.

Një familje kosovare që po udhëtonte për në Gjermani tregoi se është kthyer prapa me forcë.

“Pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë. Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës”, ka shkruar mbrëmë ministri Sveçla.

Kryetari i së ashtuquajturit asociacion i qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se bllokada do të organizohet nga shoqatat vendase të qytetarëve nga Kosova.

“Bllokada do të fillojë në orën 18:00 të 6 shtatorit dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës. Gjithashtu kërkojmë që KFOR-i të merr kontrollin e veriut të Kosovës”, kishte thënë ai.

Sipas tij, bllokadat do të zgjasin derisa të plotësohen kërkesat e qytetarëve.

Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) e bëri thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka reaguar sërish për ndalimin e familjeve shqiptare brenda territorit të Serbisë.

Në një adresim në platformën X ajo ka ftuar Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të reagojnë për ndaluar përshkallëzimin e rrezikshëm të Vuçiqit.

“Në pikën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak, grupe serbësh të maskuar po ndalojnë makinat me targa gjermane dhe nuk lejojnë kalimin e shqiptarëve. Policia e Vuçiqit po mbështet këtë përshkallëzim racist, duke parë dhe mos vepruar”, ka shkruar Gërvalla.