Në Shqipëri nesër nis viti i ri shkollor 2024 – 2025. Policia e Shtetit njofton se ka hartuar një plan masash me detyra të qarta për kontrollin e territorit, ruajtjen e rendit dhe angazhimin e policisë kriminale dhe rrugore, bazuar dhe në një vlerësim të situatës kriminale në të gjitha qarqet.
Qëllimi i këtij plani është garantimi i sigurisë publike, ruajtja e rendit dhe qetësisë, parandalimi i fenomeneve negative në shkolla, si dhe rritja e sigurisë për nxënësit dhe personelin mësimor, si në mjediset e shkollave ashtu edhe në rrugë. Përpara fillimit të vitit shkollor është bërë një vlerësim i situatës kriminale në të gjitha qarqet. Bazuar në këtë vlerësim, strukturat vendore të policisë kanë hartuar Plane Masash me detyra të qarta për kontrollin e territorit, ruajtjen e rendit dhe angazhimin e policisë kriminale dhe rrugore. ” thuhet në njoftimin e sotem për median.
Për të siguruar zhvillimin normal të procesit mësimor dhe sigurinë e nxënësve në ambientet e jashtme dhe në afërsi të shkollave, Policia e Shtetit ka angazhuar Ndihmës Specialistët e Policisë në zona, punonjësit e Policimit në Komunitet, shërbimet e Patrullave të Përgjithshme, Forcën e Posaçme.
Plani i masave
Janë caktuar detyra të detajuara për punonjësit e policisë që shërbejnë pranë shkollave.
-Prezenca e shtuar e policisë në këto ambiente synon të mbledhë dhe të trajtojë informacionet në kohë reale, duke vepruar shpejt për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në shkolla apo pranë tyre, thuhet në njoftimin e policisë.
-Në këtë kontekst, po bashkëpunohet ngushtësisht me Drejtoritë Arsimore Rajonale, drejtuesit e shkollave, stafet mësimore dhe oficerët e sigurisë në shkolla për të garantuar fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për çdo nxënës.
-Me fillimin e vitit të ri shkollor, Ndihmës Specialistët në zona do të kenë kontakt të përditshëm me oficerët e sigurisë dhe drejtuesit e shkollave. – Edhe Patrullat e Përgjithshme do të jenë të pranishme sipas juridiksionit të tyre.
-Policia Rrugore do të ketë një prani të shtuar në akset rrugore, veçanërisht pranë shkollave që ndodhen pranë rrugëve kryesore, si në fillim ashtu edhe në përfundim të procesit mësimor.
– Do të kryhen kontrolle të vazhdueshme dhe rigoroze për drejtuesit e automjeteve që transportojnë nxënësit, duke përfshirë testet për alkool, kontrollin teknik të automjeteve dhe zbatimin e rregullave të transportit të nxënësve.