Artan Tafani, tashmë i kthyer në të penduar të drejtësisë ka zbardhur gjashtë vrasje të ndodhura në kohë të ndryshme në vend dhe Greqi.Ai ishte shpallur në kërkim si autor i grabitjes së një exchange në zonën e Astirit në Tiranë. Hetimet nga policia zbuluan se Tafani është pjesë e grupit të Laert Haxhiut në Lushnjë.

Pas dëshmisë së Tafanit, policia dhe FNSH-ja ndërmorën një megaoperacion në disa qytete të vendit për të shoqëruar personat të lidhura me këto ngjarje kriminale. Pasi u dhanë 15 urdhër arreste, gjatë këtij megaoperacioni ranë në pranga 12 persona, kurse tre të tjerë janë ende në kërkim.

Sipas Tafanit vrasjet janë kryer në llogari të Laert Haxhiut dhe janë ekzekutuar në disa vende si në Greqi, Elbasan, Korçë, Lushnjë dhe Tepelenë.

Vrasja e Lulzim Qorrit, 12 Dhjetor 2018 në Athinë

44-vjeçari Lulzim Qorri u ekzekutua në një atentat mafioz teksa pinte kafe në një lokal pranë sheshit Omonia në Athinë. Në orën 23:00, dy persona me motoçikletë ndalojnë para lokalit me njerëz pasi luhej një ndeshje futbolli.Autori qëllon me tre plumba në kokë viktimën në distancë të afërt.

Vrasja e Fridmand Xhaferrajt 13 Maj 2021 në Korçë

Në rezervuarin e Gjançit gjendet trupi i pajetë i 25-vjeçarit

Fridman Xhaferraj dyshohet se u vra në qytetin e Korçës e më pas trupi u hodh në rezervuarin e Gjançit. Trupi i viktimës u gjet në rezervuar, ndërsa pista e vrasjes dyshohet larje hesapesh.

3Vrasja e Çajup Selimit, 1 Qershor 2021 në Tepelenë

Çajup Selimi u ekzekutua para shtëpisë së tij në Lagjen “15 Shtatori”. Dyshohet se dikush e thirri 52-vjeçarin të dilte dhe më pas e ekzekutoi. Sipas policisë në atë kohë, autorët e vrasjes dyshohet të ishin dy persona. Pista e dyshimit mendohet konkurrenca, për shkak të një biznesi që Selimi kishte në hyrje të qytetit.

Vrasja e Dikens Halilit, 3 Tetor 2021 në Athinë

Dikens Halili u ekzekutua në lokalin në pronësi të tij në lagjen “Agios Panteleimon” në Athinë. 39-vjeçari po fliste në telefon kur një person i paidentifikuar iu afrua dhe qëlloi në drejtim të tij 8 herë me armë. Në vitin 2010, atij iu bë atentat me tritol në makinë, por mundi të shpëtonte. Halili ishte pjesë e një bande që kërcënonin pronarët e “shtëpive të kuqe” në Athinë për t’u zhvatur para

Vrasja e Alban Semakut, 17 Tetor 2021 në Peqin

38 vjeçari Semaku u gjet i ekzekutuar me armë zjarri më 17 Tetor 2021. Ai u vra me dy plumba në trup, një në shpinë dhe një në brinjë. Semaku deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali, ndërsa në Lushnjë ai njihej me emrin “Elton Kinezi”.

Vrasja e Albi Bashaliut, 27 Dhjetor 2021 në Elbasan

35-vjeçari u vra me armë në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Viktima sapo kishte zbritur nga makina e tij për të shkuar në një kafe. Pasi e ekzekutuan Bashaliut i dogjën makinën. Ai kishte precedentë penalë pasi 4 vite më parë kishte qëlluar me armë në drejtim të 2 personave në Peqin. Ngjarja u dyshua për hakmarrje pasi në qershor të atij viti, vëllai i viktimës, Leonard Bashaliu vrau Ylber Xhahysën. Bashaliu u konfliktua për motive banale me Ylber Xhahysën për gërvishtjen e makinës 5 vite më parë dhe dyshohet se ishte ky konflikt që çoi në vrasje.