Kryeministri Edi Rama nga salla e Kuvendit i është përgjigjur kërkesës për interpelancë nga opozita lidhur me mbetet e Kurum të nisura drejt Tajlandës.

“Nga një akuzues i akuzuar që thotë se akuzon po në fakt informon, janë ngritur akuza që kanë ardhur këtu në formë pyetje, se përse nuk janë bërë analiza nga palë të pavarura? Nuk është kryer asnjë analizë as nga kompania gjermane, as nga transportuese, as nga autoritetet e vendit tranzitues dhe as nga vetë vendi pritës. Pse nuk janë bërë? Sepse në asnjë port të botës nuk analizohet çdo ngarkesë, përveç atij portit në dritare, në atë port ngarkesa rri lart dhe analizon ata që rrinë poshtë. Vetëm në fantazinë malinje të atyre që nuk e kanë haberin e punëve të shtetit bëhen analiza thes me thes apo dhe kuti, për të gjetur votën e në kutinë e votuar për të fituar pasi janë masakruar”, tha Rama.

Më tej ai iu përgjigj sërish Gazment Bardhit, duke e ironizuar.

“Më dual malli i të shkretit Lul, tutorit të mëparshëm të këtij figurës që foli dhe ata që e ndoqën e panë se ku është dallimi mes nesh që flasim me fakte dhe këtyre që nuk dinë çfarë flasin. Thash që këto mallra më këto emra nuk kategorizohen te mbetjet e rrezikshme”, tha Rama.

“Zotëria e pret ekspertizën me gojën hapur me kokën lart, i futet ekspertiza në gojë nga lart, e rrotullon nëpër gojë gjerë e gjatë dhe vjen ta pështyjë këtu.

Se flet për kush jam unë dhe kush është zotëria për fjalët që kemi thënë. Por nëse nuk gaboj është zotëria që tha po erdhi Saliu me flamur në godinë unë iki nga politika.

Nuk iku nga politika, iku nga godina bashkë me flamurin për të mbajtur kokën lart e për të parë Saliun. Është problem i madh dhe problemi më i madh këtu është i atij atje sipër që nuk ngeli balerinë pa i vajtur te parvazi dhe pa i thënë ma ler mua ta tund belin për ty”, shtoi më tej Rama.