Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të premten se nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët për, siç ka thënë ai, “problemin e Kosovës dhe Metohisë”, teksa ka paralajmëruar marrjen e masave për këtë gjë.
“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t’u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën dhe Metohinë. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiç në një fjalim drejtuar popullit, të paralajmëruar ditë më parë.
Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave para nisjes së fjalimit të presidentit serb, Serbia kërkon “heqjen e pasojave kryesore të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Siç theksohet, ky është “parakusht i domosdoshëm për një përparim të kuptimshëm” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas dokumentit, Beogradi do të nisë, “fushatë globale diplomatike” për të arritur plotësimin e kërkesave.
Shtatë kërkesat e Serbisë
Sipas dokumentit, Serbia kërkon:
– shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
– kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
– tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës.
– tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.
– formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
– zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
– kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.
Përveç këtyre kërkesave, në dokument përmendet se Kuvendi i Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditëve për të “shpallur krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë si një zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”.
Mes tjerash përmendet që “institucionet serbe” në Kosovë “nuk do të shfuqizohen apo mbyllen” dhe akuzohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se “qëllimi i tij kryesor politik është të largojë dhe të eliminojë plotësisht serbët” në Kosovë.
Aty, gjithashtu, është paralajmëruar që në Rudnicë dhe Ribar pranë kufirit me Kosovën, do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore dhe administrative për qytetarët.
Pak para adresimit të Vuçiqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia, në vend që të pendohet për krimet që ka kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo ka vendosur të përsërisë kërcënime dhe ultimatume ndaj Kosovës, në koordinim me Rusinë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovë është “tejet dëshpëruese”, por që Kosova nuk trembet nga kërcënimet.
“Krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000, prej të cilëve mbi 1.600 janë ende të pagjetur.
Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.
/ REL