Spirulina është një algë mikroskopike ujore, që gjendet tek ujërat e ëmbla dhe është një ndër ushqimet më të plota në botë. Emri i saj vjen nga forma spirale. Rritet në dritë të fortë dielli, temperaturë të lartë dhe në mjedis shumë alkalin. Ajo ndikohet shumë nga sasia e dritës, si dhe cilësia minerale dhe ushqyese e ujit ku rritet.
Falë vlerave të shumta që ka kjo algë, është përdorur si ushqim që në kohët e vjetra nga Aztekët.
Vlerat ushqyese të spirulinës
Kjo algë e mrekullueshme jo vetëm që është e pasur me vitamina dhe minerale, por detoksifikon dhe forcon organizmin tonë. Spirulina është një burim i pasur i vitaminave B, antioksidantëve si vitamina C, D dhe E, vitaminës A, omega-6, si dhe një burim i pasur i lëndëve ushqyese minerale si kaliumi, magnez, hekuri, zinku dhe kalçiumi.
A e dinit se spirulina është mjaft e pasur me proteina?
Përafërsisht 60-70% e peshës së thatë të saj janë proteina shumë të tretshme. Ajo përmban të gjitha aminoacidet esenciale, madje ato si leucinë, isoleucinë dhe valinë janë në përqendrim mjaft të lartë.
Spirulina është një nga ushqimet më alkaline në planet, me një sasi të madhe klorofili në përmbajtje.
Si ndikon spirulina në trupin dhe shëndetin tonë?
Patologjitë e lëkurës dhe efekti anti-moshë
Spirulina nxit metabolizmin e lëkurës dhe në sajë të pranisë në të, të lëndëve që reduktojnë inflamacionin, përbën një armë të fortë kundër ekzemës, skuqjeve, akneve dhe sëmundjes së psoriazës.
Prania me shumicë e antioksidantëve (fitocianin, klorofil dhe polisakaride) neutralizojnë radikalet e lira dhe ngadalësojnë plakjen e parakohshme të lëkurës.
Vitaminat A, C & B12 në sasi të konsiderueshme te spirulina, ndikojnë për një lëkurë të mirëushqyer e me pamje rrezatuese.
Balancimi i peshës
Obeziteti është një dukuri në rritje. Pesha e tepërt është jashtëzakonisht e dëmshme për shëndetin, si fizik ashtu edhe mendor, duke u bërë shkak për një sërë sëmundjesh.
Spirulina është një ushqim me shumë proteina dhe shumë pak kalori, që ka veti të frenojë ndjenjën e urisë. Përfshirja e saj në dietën ushqimore ndikon në nxitjen e metabolizmit dhe rënien në peshë, tek personat obezë dhe ata mbipeshë.
Mëlçia
Studime të shumta kanë treguar se, falë antioksidantëve të shumtë në përmbajtje, spirulina pastron mëlçinë, ribalancon aftësinë e saj detoksifikuese dhe riparon indet.
Ajo ka rezultuar shumë efikase, në rastin e sëmundjes së fibrozës dhe mëlçisë së dhjamosur, fenomen i cili vihet re tek ata persona që vuajnë nga obeziteti, diabeti, apo konsumojnë shumë alkool. Kombinimi i AGL (acidi gama-linoleik), selenit, klorofilit dhe vitaminës A, të gjitha të gjetura tek Spirulina, sigurojnë një kombinim ideal për shërimin e mëlçisë.
Anemia dhe mungesa e hekurit
Rreth 2 miliardë njerëz në mbarë botën vuajnë nga anemia dhe në 1.7 miliardë prej tyre, shkak për këtë është konsumimi i pamjaftueshëm i hekurit. Dietat vegjetariane dhe vegane, si dhe konsumimi i ushqimeve të varfra me lëndë ushqyese, mund të rezultojnë në sasi joadekuate të hekurit.
Spirulina është një burim i pasur hekuri. Ajo ndihmon në rritjen e niveleve të hemoglobinës në gjak, tek të rriturit anemikë.
Marrja e 4-5g spirulinë për trajtimin e mungesës së hekurit, mund të jetë po aq efektive sa marrja e shtesave të hekurit.
Diabeti & kolesteroli
Spirulina ndikon pozitivisht në uljen e nivelit të glukozës në gjak te pacientët që vuajnë nga diabeti.
Disa studime kanë evidentuar se ajo mund të ndihmojë pacientët me diabet të tipit 2, të menaxhojnë më mirë nivelet e sheqerit në gjak, përveç përfitimeve të tjera.
Një komponim që gjendet tek spirulina është acidi gamma-linoleik (omega-6). Ky acid ka veti të fuqishme anti-inflamatore dhe ndihmon në reduktimin e yndyrnave të tepërta në organizëm, duke kontribuar së bashku me komponentë të tjerë, në uljen e niveleve të kolesterolit në gjak.
Sytë dhe shikimi
Spirulina ka më shumë vitaminë A se çdo bimë tjetër në planet. Nivelet e larta të karotenoideve (Beta-carotene, Xanthophyll dhe Zeaxanthin) e bëjnë atë shumë të dobishme, për përmirësimin dhe ruajtjen e shikimit të mirë, si dhe parandalimin e verbërisë. Fëmijët që kanë konsumuar 1g spirulinë në ditë, kanë treguar rritje të niveleve të vitaminës A si dhe përmirësim të shikimit.
Rezistenca ndaj sëmundjeve
Sistemi imunitar është ai që mbron trupin tonë nga infeksionet dhe sëmundjet. Kur përjetojmë stres, kemi një dietë jo të mirë ushqimore apo aktivitet jo të rregullt fizik, ka të ngjarë që sistemi imunitar të mos jetë duke funksionuar si duhet.
Konsumi i spirulinës nxit përgjigjen imune në organizëm dhe stimulimin e funksionalitetit të fagocitozës dhe makrofagëve, duke rritur aftësinë e trupit, për të luftuar dhe përballuar sëmundjet.
Spirulina dhe flora intestinale
Spirulina rrit sasinë e Lactobacillus dhe Bifidobacterium në traktin e tretjes dhe vepron si një prebiotik, duke ushqyer bakteret e mira. Ajo gjithashtu ndihmon në eliminimin e ngarkesës toksike në traktin e tretjes, duke eliminuar ushqimin për bakteret e këqija. Në këtë mënyrë, spirulina balancon florën intestinale dhe ndikon pozitivisht në rritjen e absorbimit të lëndëve ushqyese.
Sa spirulinë duhet të kosumojmë?
Spirulina mund të konsumohet nga kushdo, të rritur dhe fëmijë. Ajo gjendet në treg, në trajtë pluhuri që mund të shtohet në ushqime të ndryshme ose në trajtë tabletash.
Si suplement ushqimor, këshillohet të fillohet me dozë të ulët (1-3g/ditë) dhe më pas nëse është e nevojshme, doza mund të rritet deri 5-10g, në varësi të nevojave specifike.
Fëmijët mund të marrin një dozë ditore prej 1-2g në ditë.