Në projekt vendim thuhet se zgjedhësi që dëshiron të votojë nga jashtë duhet të paraqesë kërkesë në mënyrë individuale për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Afati për paraqitjen e kërkesës fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë para kësaj date

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njofton publikisht për hapjen e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit jo më vonë se 10 ditë përpara fillimit të këtij procesi. Kërkesa kryhet përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit, nga këtu e vijim në këtë vendim referuar si “PER” e cila krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. PER është e aksesueshme pa pagesë për zgjedhësin. Zgjedhësit do t’i jepet mundësia ta shkarkojë këtë platformë si në versionin desktop, ashtu edhe në atë mobile pa qenë i kushtëzuar nga lloji i pajisjes elektronike që do të përdorë“, thuhet ne projektvendim.

Sa i takon listës së zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, projektvendimi thote se është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptarë që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim dhe që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse

Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje për Kuvendin. Në çdo rast, KQZ-ja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ruajnë bazën e të dhënave të zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit për çdo palë zgjedhje”