Kryeministri serb Millosh Vuçeviç pranoi se ngjarja e Banjskës nuk duhet të ndodhte, pro Serbia shtoi ai, “nuk duhet të pranojë narrativën se Banjska përcaktohet nga mënyra se si e sheh Prishtina ngjarjen”.

Shefi i ekzekutivit serb insistoi megjithatë se ishin një seri gjërash që çuan deri tek sulmi i cili i kushtoi jetën një efektivi të Policisë së Kosovës, si edhe re agresorëve serbë.

“Ajo që ndodhi ishte reagim ndaj një sërë lëvizjesh të autoriteteve të Prishtinës – nga arrestimet deri te plagosja dhe rrahja e serbëve. Nuk ishte koha e lulëzimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Kosovë”, tha ai për TV Prva, ku doli edhe me pretendimin se “autoritetet në Prishtinë nuk lejojnë që familjet e serbëve të vrarë në Banjskë të shënojnë vendin ku ata janë vrarë” dhe se brenda një vitit, sipas tij, një numër i madh njerëzish janë larguar nga Kosova, se u është bërë presion dhe druhen se kjo do të vazhdojë.

Një qëndrim i tillë nuk është risi në fakt. Kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç menjëherë bëri fajtor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Vuçiç u shpreh asokohe se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”, dhe mohoi që Serbia të kishte gisht.

Ai u zotua që Serbia do t’i hetojë të dyshuarit, si edhe origjinën e armëve që policia e Kosovës konfiskoi pas sulmit. Por ndërkohë, një vit më vonë, nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur dhe biznesmeni serb nga Kosova, Millan Radoiçic, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin, besohet se është i lirë në Serbi.