Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve në masën 8.6%. Vendimi parashikon indeksimin në masën 8.6% të të gjitha kategorive të pensioneve, (pensionet e pleqërisë, pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara, ato të invaliditetit, pensionet në qytet, në fshat, pensione që jepen për ndihma të posaçme shtetërore, etj).

Kështu, të gjitha kategoritë e pensioneve do të paguhen me një rritje prej 8.6 % dhe përfitues do të jenë mbi 767 mijë qytetarë në të gjithë vendin. Zbatimi i këtij vendimi nis nga data 1 tetor dhe vetëm për periudhën tetor – dhjetor 2023 efekti financiar në buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 3.1 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë.

Kjo rritje, mbulon gjithë ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022 – gusht 2023, të matur nga INSTAT në mënyrë të dedikuar për kategorinë e pensionistëve (Indeksi i Çmimeve të Konsumit për pensionistët është i ndryshëm nga indeksi i popullatës, pasi merr në konsideratë ndryshimet e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët).

Në mënyrë të vazhdueshme, si një masë mbrojtëse për të përballuar goditjet e njëpasnjëshme, qeveria ka ndërmarrë politika që kanë pasur si qëllim forcimin e mbrojtjes sociale, ndaj dhe shpenzimet nga buxheti shtetit kanë ardhur në rritje.

Gjatë vitit të kaluar janë realizuar dy indeksime, në total në masën 9.5%, me efekt financiar 5.4 miliardë lekë. Krahas këtyre rritjeve, qeveria, ka dhënë edhe bonuset, si ai i fundvitit që tashmë është i përfshirë në Ligjin e Buxhetit të çdo viti dhe i cili do të akordohet edhe këtë vit.