Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në Pragë kundër Çekisë, ndeshje e cila merr jetë në 20:45 dhe vlen për Grupin B1 në Ligën e Kombeve. Të dyja skuadrat kanë nga tri pikë në renditje, teksa në baraspeshë janë edhe në përballjet direkte.
Shqipëria është ndeshur tre herë kundër çekëve, duke siguruar një fitore, një barazim dhe një humbje. Dueli i parë daton më 8 qershorin e 2021, kur çekët na mposhtnin 3-1 në një miqësore.
Ndërkohë që sezonin e kaluar, për kualifikueset e Euro 2024, Shqipëria merrte një barazim 1-1 në Pragë më 7 shtator, me perlën e Nedim Bajramit. Ndeshja e kthimit luhej më 12 tetor 2023 dhe në ‘Air Albania’ skuadra e Sylvinhos shkëlqente duke mposhtur çekët 3-0 dhe dominuar takimin.
Pesë gola kanë shënuar kuqezinjtë në përballjet direkte, teksa çekët na kanë shënuar katër herë. Përkundër balancës në shifra, forma aktuale e tanëve është për t’u lavdëruar, paçka se vijmë nga humbja minimale me Gjeorgjinë.
Dëmtimet dhe formacioni
Për mos harruar se Sylvinho nuk do ketë me vete këtë mbrëmje të dëmtuarit Broja, Manaj, Gjimshiti, Uzuni dhe Medon Berisha. Sa i takon formacionit, ai pritet mos ndryshojë shumë dhe skema do jetë 4-3-3.
Sylvinho do të luajë në portë me Strakoshën, që në këtë sezon vjen me petkun e titullarit të AEK-ut dhe me ndeshje të plota të luajtura me klubin, ndryshe nga sezoni i kaluar te Brentford.
Në mbrojtje, krahu i djathtë do t’i besohet sërish Elseid Hysajt, edhe pse nuk ka luajtur te Lazio. Pjesa tjetër e mbrojtjes është me Ismajlin e Kumbullën në qendër dhe Mitajn në krahun e majtë.
Në mesfushë do të jenë Ramadani dhe Asllani, i cili ka kapërcyer dëmtimin e lehtë. Krahas tyre Qazim Laçi, futbollist i Spartës së Pragës, në stadiumin e së cilës do të luhet ndeshja.
Në sulm një treshe lojtarësh gjithashtu në formë së fundmi me klubet e tyre, Bajrami nga e majta, Asani në të djathtë, me Dakun e rikthyer në qendër.
Parashikimet
Bastet kanë vendosur të “injorojnë” kuqezinjtë. Fitorja e ekipit të Sylvinhos kuotohet me 5.50, ndërsa një barazim i mundshëm në Pragë vlerësohet me 3.60. Nga ana tjetër fitorja e Çekisë kuotohet me 1.67.
Situata në Grupin B1
Pas Çekisë, tanët më 14 tetor do përballen me Gjeorgjinë në Tbilisi. Gjeorgjianët me gjashtë pikë mbajnë kreun e grupit, teksa ndjekin Shqipëria dhe Çekia me tri pikë. Ndërkohë Ukraina me zero pikë është e fundit.
Arbitrimi
Francezi Benoît Bastien si kryesor, me ndihmësat e tij Hicham Zakrani, Aurelien Berthomieu dhe Thomas Leonard do jenë ata që do vendosin drejtësi në “EPET Arena” të Pragës.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Kumbulla, Ismajli, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laçi; Bajrami, Asani, Daku Trajner: Sylvinho