Qeveria javën tjetër do të miratojë rregulloren për menaxhimin e plazheve. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro gjatë takimit me kryebashkiakët sot në Pallatin e Kongreseve.
“Kemi nisur projektin e sistemimit dhe rikualifikimit të dimensionimit estetik të hapësirave publike. Do të bëhet në të gjithë bregdetin. Hapësirat do të jenë të lira, pa pushtim çadrash e shezlonë e pa baraka që bëjnë biznes shezlonës. Javën tjetër miratojmë në qeveri rregulloren e re të mirëadministrimit të plazheve” tha Kumbaro.
Hotelet do të jenë të vetmet që kanë mundësi për të aplikuar për të menaxhuar stacione plazhi në proporcion të drejtë me numrat e dhomave.
Është shtuar dhe kriteri i ri: Në çdo 1 km plazh do të ketë minimumi 300 metra plazh publik.
Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 iu prezantua kryetarëve të bashkive. Ajo mbështetet në 6 shtylla.
Strategjia projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.