Rritja ekonomike ka vijuar të mbetet e dobët dhe në tremujorin e dytë të vitit, duke reflektuar konsum të dobët, pavarësisht rritjes së numrit të turistëve.

INSTAT bëri të ditur se Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e dytë të vitit 2023 vlerësohet me rritje prej 3,23%, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2022.

Edhe në tremujorin e parë zgjerimi ekonomik ishte ngadalësuar, duke arritur në 2.83% (INSTAT e ka rishikuar lehtë në rritje treguesin e tremujorit të parë, nga 2.73% që ishte fillimisht).

Ashtu si në tremujorin e parë, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme po vijojnë që të mbajnë në këmbë ekonominë. Në të kundërt, dy sektorë të rëndësishëm për produktivitetin e ekonomisë, bujqësia dhe industria janë me rënie.

Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë 2023, Kontribut pozitiv kanë dhënë degët:
Ndërtimi me +1,43 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,72 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,66 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me 0,26 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,26 pikë përqindje, Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +0,19 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,09 pikë përqindje.

Negativisht kontribuoi grupi: Industri, Energji dhe Uji me -0,31 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me -0,27 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me -0,03 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0,23 pikë përqindje.

Bujqësia më rënie, shtihet argëtimi
Sipas INSTAT, Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit shënoi rënie vjetore prej 0,04%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 2,37%. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 14,61%.

Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 1,24 %. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 8,14 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 3,61%.

Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 11,72%. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me rënie prej 4,16%. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 5,26%. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati rritje me 12,37%. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 1,81%.

Konsumi rritet me 4%
Ndonëse Shqipëria shënoi një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve që në tremujorin e dytë, konsumi i popullatës ka qenë i dobët, ndërsa ai i administratës publike ka shënuar rritje të ndjeshme, teksa në tremujorin e dytë u shënua rritja e pagave, ndërkohë që u zhvilluan dhe zgjedhjet lokale.

Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e dytë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, shfaqen si më poshtë:

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 4,03%.

Konsumi final i qeverisë u shfaq me një rritje prej 9,29%.

Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 11,05%.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 1,48%, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2,42%.

/MONITOR/