Donald Trump është drejt shpalljes zyrtare si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Republikani është në avantazh të thellë ndaj kundërshtares së tij demokrate, Kamala Harris. Ndërkohë liderët botërorë kanë uruar Trump për rikthimin në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri i Britanisë së Madhe Kier Starmer në një postim në rrjetin social X, ka uruar Tump. “Urime presidenti i sapo zgjedhur Donald Trump për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Mezi pres të punoj me ju në vitet në vijim.”, shkruan lideri Britanik.
Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, ka uruar Trump, ku fitoren e republikanit e quan rikthimin më të madh në historinë politike të SHBA-ve.
“Rikthimi më i madh në historinë politike të SHBA-ve! Urime Presidentit Donald Trump për fitoren e tij të madhe. Një fitore shumë e nevojshme për Botën!”, shkruan Orban.
Kryeministri Edi Rama ka uruar Donald Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale të SHBA.
“Urime Donald Trump për këtë fitore të jashtëzakonshme. Ishte një nder i vërtetë të punoja së bashku me Presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen midis dy vendeve tona. Pres me padurim të kem privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm.”, shkruan Rama.
Po ashtu edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka uruar republikanin Trump, ndërsa shkruan se është i gatshëm për të punuar në 4 vitet e ardhshme.
“Urime President Donald Trump. Të gatshëm për të punuar së bashku siç kemi bërë për katër vjet. Me bindjet tuaja dhe me të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe prosperitet.”, shkruan Macron.
Nuk ka munguar as urimi nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila shprehet se SHBA dhe Italia janë ‘kombe’ motra.
“Në emër timin dhe të qeverisë italiane, urimet e mia më të sinqerta për Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Italia dhe Shtetet e Bashkuara janë kombe ‘motra’, të lidhura nga një aleancë e palëkundur, vlera të përbashkëta dhe një miqësi historike. Është një lidhje strategjike, të cilën jam e sigurt se tani do ta forcojmë edhe më shumë”, shkruan ajo.
Kancelari austriak Karl Nehammer, në një postim në rrjetet sociale shkruan “Unë e përgëzoj Donald Trump për suksesin zgjedhor. SHBA-të janë një partner i rëndësishëm strategjik për Austrinë. Ne presim të zgjerojmë dhe forcojmë më tej marrëdhëniet tona transatlantike së bashku në mënyrë që të përballojmë me sukses sfidat globale.”
Edhe kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ka uruar Trump përmes në postimi në rrjetet sociale, ku bashkëngjitur ka postuar një foto mes tyre.
“Urime Donald Trump për fitoren tuaj. Së bashku, ne përballemi me sfidat serioze përpara. Serbia është e përkushtuar të punojë me SHBA-në për stabilitet, rritje dhe paqe”, shkruan Vuçiç.
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda ka uruar po ashtu republikanin, ku shprehet se “Urime, zoti President Donald Trump! Ti e bëre të ndodhë!”.