Plani i Presidentit të zgjedhur Donald Trump përfshin zotimet kryesore të bëra gjatë fushatës: sigurinë kufitare, forcimin e ekonomisë dhe vënien e Amerikës në plan të parë.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh pavarësisht se zotimet vlerësohen si të guximshme, deri tani nuk janë dhënë detaje se si do të realizohen ato.
“Tani është e qartë se ne kemi shënuar arritjen më të pabesueshme politike”.
Ndërsa u bë e qartë natën e zgjedhjeve se zoti Trump sërish do të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, në fjalimin e fitores ai ritheksoi synimet e tij e tij për katër vitet e ardhshme.
Siguria kufitare mbetet një nga përparësitë kryesore. Ai ka thënë se do të nisë programin më të madh të dëbimit të kriminelëve në historinë amerikane dhe ka bërë thirrje për dënimin me vdekje të çdo emigranti që vret një shtetas amerikan, ose oficer të zbatimit të ligjit.
Megjithatë, fjalori i tij ishte më i butë gjatë fjalimit si fitues i zgjedhjeve.
“Ne do të mbyllim kufijtë. Ne duam që njerëzit të vijnë në Amerikë, por ata duhet të hyjnë në mënyrë të ligjshme”, tha zoti Trump.
Nënpresidenti i sapo zgjedhur JD Vance preku një tjetër pikë kyçe të planit të administratës së ardhshme.
“Pas rikthimit më të madh politik në historinë amerikane, ne do të realizojmë forcimin më të madh ekonomik në historinë amerikane”, tha zoti Vance.
“Ne do të paguajmë borxhin. Ne do të ulim taksat”, shtoi Presidenti i zgjedhur Trump.
Nuk është e qartë se si administrata e re do t’i përmbushë objektivat e saj ekonomike pa rritur më tej deficitin që është tashmë në nivele rekord.
Fjalimi i zotit Trump përmendi një person që mund të ndihmonte në këtë drejtim, manjatin e teknologjisë Elon Musk, i cili sipas zotit Trump do të drejtonte një “komision qeveritar mbi efikasitetin” për të reduktuar problemet fiskale dhe mashtrimet.
Zoti Trump ishte i pranishëm kur firma e zotit Musk ‘Starship’ lëshoi raketën e fundit në hapësirë.
“Kjo ishte një gjë e bukur. Unë e thirra Elonin dhe e pyeta: ‘Kush tjetër mund ta bëjë këtë? A mund ta bëjë Rusia? Jo. A mund ta bëjë Kina? Jo. A mund ta bëjë dikush tjetër në Shtetet e Bashkuara këtë përveç teje? Jo, askush nuk mund ta bëjë këtë’. Më pas i thashë, ‘për këtë arsye më pëlqen’”, tha zoti Trump.
Ekspertët thonë se lëvdatat për miliarderin Musk kanë të bëjnë me idenë e përçimit të fuqisë dhe forcës në skenën globale.
“Përgjigja se ne jemi i vetmi vend që mund ta bëjmë këtë mendoj se i ofron zotit Trump mundësinë të përdorë këtë imazh të zotit Musk jo vetëm si një sipërmarrës, por një vizionar, një gjeni, për të mbështetur idenë se ai po ecën përpara jo si individ, por si komb”, thotë Stephanie Alice Baker nga Universiteti i qytetit të Londrës.
Në fjalimin e tij, zoti Trump theksoi se cili do të ishte parimi i tij në detyrë.
“Unë do të qeveris me një moto të thjeshtë ‘premtime të bëra, premtime të mbajtura’”, tha zoti Trump.
Një nga këto premtime do të ishte ajo që ai e quan “epoka e artë” e ardhshme e Amerikës.