Procesi i përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Policisë në qarqe është ankimuar, pasi dy prej kandidatëve kanë kontestuar rezultatet e pikëve të marra gjatë vlerësimit.

Bëhet fjalë për Lorenc Panganikën, aktualisht drejtues i Policisë së Fierit, i cili ka marrë 66 pikë dhe renditet i 16-i në listë, si dhe Adriatik Tafçiun, ish-shefin e Kurikulave në Akademinë e Sigurisë, që ka siguruar 65 pikë dhe renditet i 19-i.

Ankesat janë dorëzuar brenda afatit prej 48 orësh pas publikimit të pikëve nga Komisioni i Vlerësimit. Këto ankesa do të shqyrtohen brenda 5 ditësh, duke e zgjatur kështu procesin për emërimin e drejtorëve të rinj në qarqe.

Policia e Shtetit ka publikuar të dielën listën e kandidatëve dhe pikët e tyre në garën e hapur për drejtuesit e rinj. Përzgjedhja e fituesve do të bëhet në bazë të pikëve të grumbulluara gjatë procesit të vlerësimit. Kandidatët që kanë arritur mbi 70 pikë do të kenë mundësinë për t’u emëruar drejtorë të rinj të qarqeve.

Aktualisht, 15 kandidatë kanë kaluar pragun e 70 pikëve, por në detyrë do të emërohen vetëm 12 prej tyre.

Emërimi final do të bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, bazuar në rezultatet e vlerësimit të pikëve.

lLEXONI KETU EDHE LISTEN E PLOTE TE REZULTATEVE