Anëtarët e opozitës në Komisionin Hetimor për Sterilizimin kanë paraqitur dokumentin ku kërkojnë që këtë të mërkurë të dëshmojë Edi Rama në cilësinë e Kryeministrit i cili ka firmosur VKM-në për dhënien me konçension të këtyre shërbimeve duke mbështetur e promovusar publikisht këto konçensione edhe pas fillimit të çështjes penale nga organet e drejtësisë.
Në dokumentin e publikuar kërkohet thirrja si dëshmitare po këtë të mërkurë edhe e zonjës Vilma Nushi në cilësinë e pronares së dy kompanive e cila është pjesë e një prej koncesioneve objekt i veprimtarise hetimore të këtij Komisioni. Deputetët e opozitës kërkojnë paraqitjen e znj. Vilma Nushi e cila është përfituese indirekte dhe direkte 1.5 mln Eurove nga dividenti.
Për anëtarët e opozitës refuzimi i përsëritur nga ana e anëtarëve të mazhorancës në këtë Komision, për të thirrur si dëshmitarë z. Edi Rama dhe zonjën Vilma Nushi, është tërësisht në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i takon Ligjit për Komisionet Hetimore dhe ligjet në fuqi.
“Komisioni është i detyruar që të thërrasë për të dëshmuar para tij, jo vetëm Z. Edi Rama por të gjithë personat për të cilët anëtarët e opozitës, si inicues të këtij Komisioni, kanë kërkuar që të paraqiten e të dëshmojnë”, thuhet në dokumentet e publikuara.