Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh është motoja e këtij viti e panairit, që fton vizitorët të zbulojnë më shumë dhe të shijojnë çdo faqe libri që lexojnë.

Nëse do të arrijmë të fitojmë betejën me librin në shkollë dhe në familje, si dhe të kemi bibliotekat tona me sa më shumë libra, ne kemi fituar betejën e së ardhmes”, u shpreh kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.

Panairi i librit është një platformë që reflekton identitetin tonë kulturor dhe historik. Jam e kënaqur që edhe këtë vit janë rreth 100 botues, por edhe autorë që vijnë me tituj librash të rinj”, tha ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu.

Për të mundësuar të ardhmen e vendit, duhet patjetër ta filloni nga diku. Filloni duke lexuar një libër, sepse është kjo bota që ju hapet, bota e madhe e zhvillimit kulturor, social dhe ekonomik që do t’i ndodhë vendit dhe qytetit tonë”, theksoi nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Keti Luarasi.

Kjo festë e librit, eventi më i rëndësishëm kulturor i vitit, sjell për lexuesit botime të reja nga autorë shqiptarë, por edhe përkthime nga 90 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Qindra artdashës e veçanërisht fëmijë vizituan panairin që në orët e para të çeljes së tij, ndërkohë që përgjatë këtyre pesë ditëve, ata mund të takohet me autorët e preferuar apo të marrin pjesë në tryeza diskutimi, që në thelb kanë rëndësinë e librit shqip.

Panairi do të qëndrojë i hapur deri të dielën në mbrëmje, në 17 nëntor.