Kryeministri Edi Rama nuk e kursyer ironinë drejt opozitës, ndërsa po mban fjalën këtë të hënë në Kuvend.
Premtimet për buxhetin nga ana e opozitës, Rama i quan qilima fluturues dhe përralla të 1001 netëve.
Rama: Është bërë shesh për përsheshet e lloj lloj spekulantëve që janë vetëshpallur si shpëtimtarë dhe kanë nxjerrë në Pazar qilimat fluturues të Sudes dhe Rrapushit, herë me fytyrën e rrudhur. Ata që s’kanë punuar një ditë të vetme për shtetin që kanë marrë rrugët në një përpjekje të zhurmshme për t’u shitur pensionistëve qilima dhe shqiptarëve një tufë përrallash të 1001 netëve kanal më kanal, portal më portal dhe rrjet më rrjet.
Ndërkohë që këta Sude dhe këta Rrapushë do të na ndihmojnë siç kanë bërë në të shkuarën për ta bërë shumë të qartë dallimin mes ecjes sonë të mëtejshme dhe sjelljet qafëthyese mbi qilimat e përrallave të tyre, dua ta them këtu punën e mirë që kemi bërë në këto vite.
Kuvendi nisi sot diskutimet dy ditore për Projektbuxhetin e vitit 2025.
Ligjvënësit pritet ta votojnë buxhetin në parim në fund të ditës së martë, ndërsa opozita ka organizuar protestë kundër miratimit të buxhetit prej 8 miliardë eurosh.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka kërkuar mbështetësve të pengojnë miratimin e projekt buxhetit të cilin e quan “buxheti i vjedhjeve”.
Projekt buxheti po diskutohet prej javësh në komisionet parlamentare, ku nuk kanë munguar përplasjet mes anëtarëve të opozitës dhe mazhorancës.