Nisi viti i ri akademik 2023-2024. Rreth 20 mijë studentë do të ulen për herë të parë në bankat e universiteteve.

Në Universitetin e Mjekësisë janë plotësuar kuotat prej 450 studentë, mëgjithëse studentët e viteve të ndryshëm kanë paralajmëruar bojkot dhe protesta për shkak të ligjit që i detyron të punojnë në Shqipëri 5 vite pas përfundimit të studimeve.

Nga ana tjetër,  Universiteti Bujqësor i Tiranës, këtë vit ka arritur të marrë më shumë studentë. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit në Universitetin Bujqësor nuk rrezikoi mbylljen e asnjë dege studimi sikurse ka ndodhur me disa universitete të rretheve.

Këtë vit të rinjtë kanë shfaqur më tepër interes për degët që janë cilësuar si prioritet kombëtar nga qeveria, duke ofruar për studentët që do të regjistrohen, bursë ne vlerën e pagës minimale, pra 400 mijë lek në muaj.

Duket se ky vendim ka ndikuar tek maturantët për të parë me sy me pozitiv këto degë që vitet e fundit kishin mbetur në harresë.

Ndërkohë, teksa janë plotësuar vendet në mjekësinë e përgjithshme dhe arkitekturë, universitetet rajonale po vuajnë mungesën e të rinjve ku dhjetëra degë kanë zero studentë të regjistruar, sidomos ato programe studimi që të çojnë drejt mësuesisë, apo që lidhen me bujqësinë si dhe të rrezikuara janë shkencat sociale.

Në universitetin e Elbasanit 15 programe rrezikojnë të mos hapen këtë vit të ri akademik. Janë programe që nuk konsiderohen të mbyllura por nuk hapen vitet e para, pasi me ligj që një program të mbyllet duhet të ketë 0 studentë në të treja vitet e tij.

Në Universitetin e Shkodrës 10 programe studime rrezikojnë të mos nisin vitin e ri akademik për shkak të numrit shumë të vogël të studentëve. Nga 0 deri ne 6 regjistrime ka në degët e studimeve në frëngjisht, histori, fizikë, gjeografi, gazetari, biologji-kimi etj.

Në universitetin e Korçës dy programet e “Filozofi Sociologjisë” dhe “Ekonomiksë” të cilat nuk kanë asnjë student të regjistruar do të pezullohen, ndërkohë që senati akademik do të shqyrtojë rast pas rasti edhe disa programe të tjera të cilët kanë më pak se 10 studentë, për të vendosur nëse do të mbyllen ose jo.

Në institucionet e arsimit të lartë në rrethe përgjithësisht vendet në auditorë për vitparistët janë ulur me rreth 300 kuota. Ndërsa këtij fenomeni ku aplikimet kanë qenë më pak se vende në dispozicion, që si rrjedhojë e bën më të lehtë rrugën për të fituar të drejtën për në universitet, nuk i ka shpëtuar as Universiteti i Tiranës.

Ky universitet pavarësisht se mbetet më i preferuar, sërish është prekur nga tkurrja e vendeve të lira për aplikime. Kryesisht këtë e ndjen Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku për shembull më konkretisht dega e kimisë në 2022 ka pasur 100 vende, këtë vit kuotat ishin 58, por në raundin e parë u regjistruan vetëm 4 studentë, e 54 vende mbeten bosh për raundin e dytë.

2023-shi e gjen Universitetin e Tiranës me 666 vende më pak për maturantët, krahasuar me vitin e shkuar ku kishte 4907 kuota për vitin e parë Bachelor, por që prej tyre mbetën të paplotësuara 1914 kuota. Ndaj kur vjet jo të gjitha vendet e lira u ezauruan nga të rinjtë, ky është sinjali që edhe panorama e këtij viti akademik nuk është shpresëdhënëse për numrin e studentëve.