Pas prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu është marrë në mbrojtje edhe ish-prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi. Të dyja prokuroret, bashkë me avokatin Adriatik Doga – sipas dëshmisë të bashkëpunëtorit të drejtësisë – ishin në shënjestrën e Laert Haxhisë për t’u eliminuar.

Selimi, e shkarkuar nga KPK, në korrik 2023, është marrë në mbrojtje nga Policia e Lushnjës dhe do të shoqërohet kudo ku do jetë në lëvizje. Gazetari i Report Tv, Sokol Dema ka mësuar se për Selimin ka marrë vendim mbrojtje edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ndërsa për avokatin Doga nuk ka ende një vendimmarrje.

Dy prokuroret u morën në mbrojtje pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka rrëfyer planin e Laert Haxhiut për t’i vrarë. Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë të dyja prokuroret janë ndjekur për disa muaj  ku përgatitja e Laert Haxhiut dhe anëtarëve të grupit të tij, ishte vrasja e tyre ose të familjarëve.

Kjo dëshmi e Tafanit ka bërë që KLP të mblidhet sot për të diskutuar riorganizimin e e mbrojtjes së prokurorëve. Në takim marrin pjesë kreu i SPAK, Altin Dumani, ministri i Brendshëm Taulant Balla, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, prokurori i Elbasanit Kreshnik Ajazi dhe kreu i Gardës Gramoz Sako po marrin pjesë në takim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Prokurorja Selimi hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu. 2 vite hetime dhe më pas Selimi shpalli moskompetencë për dosjen, duke ia kaluar SPAK dhe prokurores Doloreza Musabelliu, ku aktualisht ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa ka ende në fazë gjykimi Laert Haxhiun, i paekstraduar akoma nga Greqia.

Merita Selimi në muajin Korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vetting) me dy votat e Brunilda Bekteshit, Etleda Çiftja. Një votë “pro” kalimit të saj të procesit të “Vettingut” ishte ajo e Lulzim Hamitaj, por nuk mjaftoi. Çështja e saj ka kaluar në KPA, ku më pas vendimmarrja do jetë përfundimtare, nëse Selimi do të dalë apo jo nga sistemi i drejtësisë.

Artan Tafani ka treguar edhe planin për ekzekutimin e avokatit Adriatik Guri, i cili sipas tij i ka shpëtuar vrasjes në fraksion sekonde në tetor 2021 në Lushnjë. Sipas të penduarit të drejtësisë avokatin do e vriste vetë ai, Laerti dhe Lulzim Arapi. Avokati Guri sot jeton vetëm prej faktit së në momentin që grupi kriminal zbarkoi me arsenal armës pranë banesës së tij, ai është takuar me një komshie, çfarë ka detyruar tre kriminalët të ndalojnë dhe të presin. Por, avokati, pasi hyri në apartamentin e tij, nuk doli më nga aty, duke anuluar çdo gjë.