Të paktën 75 për qind e kontratave të tokave bujqësore të lidhura nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural deri në dhjetor 2022 kishin detyrime të papaguara qiraje.

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit vlerëson numri i kontratave të gjetura me detyrime ishte 38 dhe vlera e detyrimeve të papaguara rreth 65 milionë lekë.

“Gjatë auditimit konstatohet se nga 51 kontrata që janë aktualisht të lidhura, 38 prej tyre ose 75% kanë detyrime në pagimin e qirasë në shumën totale 64.6 milionë lekë, detyrim i cili për datën 31.12.2020 rezulton me një shumë totale prej 68.9 milionë lekësh, ndërsa për periudhën 01.01.2021 – 31.12.2022 paraqitet në shumën 29 milionë lekë (në vitet në auditim janë bërë likuidime të detyrimeve të mbartura të qirasë).

Për mungesë të realizimit të planit të investimit MBZHR deri më 31.12.2022 ka vendosur gjoba në shumën 427,044,994 lekë, kryesisht gjatë auditimit në terren. Nga 51 kontratat ende në zbatim konstatohet se 83% e detyrimit për mos realizim të investimit i korrespondon 3 (tre) shoqërive” thuhet në raport.

Por në total detyrimet e akumuluara vit pas viti janë edhe më të larta sipas raportit të auditimit. Nga shumat e mësipërme për mos pagim qiraje dhe penalitet për vonesën në pagim në shumën totale 64,6milionë lekë më datë 31.12.2022, për gjoba të mosrealizimit të investimit në shumën totale 427 milionë lekë, konstatohet se vlera. totale 491.7 milionë lekë përfaqëson detyrime të subjekteve palë të kontratave të tokave bujqësore në përdorim, të cilat nuk janë të kontabilizuara në pasqyrat financiare të aparatit të MBZHR.

Lidhur me këtë është rekomanduar që titullari i MBZHR të marrë masa për ngritjen e një grupi pune, me qëllim vlerësimin e kontratave me problematikë në mospërputhjen e vlerës së investimit në plan biznes krahasuar kjo me vlerën e investimit të paraqitur në kontratën e qirasë. “Në vijim të mundësohet dakordësia për amendim kontrate midis palëve me qëllim përputhshmërinë e investimit real me atë të parashikuar në kontratë sipas investimeve të kryera në terren dhe përshtatjen e afatit të qiradhënies sipas plan biznesit të ri” nënvizon raporti.

Një tjetër problematikë e sjellë në vëmendje është ajo e mos regjistrimit në librat e kontabilitetit dhe pasqyrat financiare për vitet 2021-2022 të tokave bujqësore që sipas audituesve cenon transparencën dhe pasqyrimin e plotë të të dhënave pasurore në administrim të MBZHR dhe që duhet të mbahet parasysh për reflektim.

/MONITOR/