Vrasja e Tupac Shakur ishte një nga misteret më të mëdha të hip-hop-it.
Kanë kaluar më shumë se 27 vjet që kur reperi u qëllua me armë në afërsi të Las Vegas Strip. Ai ishte pasagjer në një BMW të zezë kur u qëlluan nga një Cadillac.
Dhe tani, vjen zbulimi më i rëndësishëm në historinë e muzikës; një burrë është akuzuar për vrasjen e yllit, i vetmi nga katër të dyshuarit që është ende gjallë. Mendohet se Duane “Keffe D” Davis nuk është doraci që ka kryer vrasjen, por është ai që ka urdhëruar vrasjen e reperit.
Në shtetin e Nevadës, kjo mjafton për t’u akuzuar për vrasje.
Kush ishte 2Pac
Parcela Lesane Crooks lindi më 16 qershor të vitit 1971, dhe ishte biri i një aktivisteje për të drejtat e njerëzve me ngjyrë, Afeni Shakur. Ai u njoh anembanë globit si Tupac ose 2Pac.
Në njëzet e pesë vitet e tij të shkurtra të jetës, pati ndikim në kulturën amerikane dhe botërore më shumë sesa shumica e artistëve dhe politikanëve amerikanë.
Tupac ishte shumë më i njohur për tekstet e papërpunuara me përmbajte dhune, seksi dhe fyerje, që përshkruanin jetën në geto. Konsiderohet “poet”, një nga artistët më të mëdhenj dhe më të gjithanshëm të muzikës, i cili u ngrit nga një fëmijëri e varfër në Harlem për t’u bërë më pas një yll.
Ai u bë i famshëm në sajë të “Eyez On Me” dhe shumë hite-ve që janë sjellë përmes albumeve, të cilat mbete edhe sot n ndër më të shiturat në SHBA.
Reperi shiti më shumë se 75 milionë disqe në mbarë botën dhe u nominua për gjashtë çmime Grammy.
Por ndërsa albumet e tij adhuroheshin nga fansat, disa këngë dhe tekste kritikoheshin dhe përçmoheshin nga politikanët. Kjo e bëri edhe më të dashur për popullin e thjeshtë.
Ai u bë pjesë e labelit “West Coast”, duke përfshirë “Records Bad Boy” të New Jorkut dhe “Records Death Row” me bazë në Los Angeles.
Një djalë rruge dhe artist “i përjetshëm dhe universal”
Por Tupac nuk ishte nga ata artistë që qëndronte larg telasheve. Ai e kaloi pjesën më të madhe të viteve të fundit të jetës brenda dhe jashtë burgut, për akuza nga më të ndryshme; nga ngacmimi seksual, posedim lëndësh narkotike e deri te dhuna nga rivalitetet mes grupeve.
Kritikët e artit mendojnë se u bë më i popullor me vdekjen sesa po të kishte jetuar më gjatë.
Motra e tij e vogël Sekyiwa në një intervistë të saj të para disa viteve thoshte se vetë reperi mendonte se kishte ardhur në jetë me një plan të madh: “Tupac e dinte thellë në vetvete se ai ishte projektuar për diçka të madhe. Si motra e tij e vogël, unë pata privilegjin ta shikoja atë madhështi të shpalosej në të gjallë dhe në vdekjen e tij.”
Richard Bond, i cili ka realizuar disa dokumentarë për Tupac, i tha Reuters në vitin 2017-të se deklaratat dhe tekstet e yllit me një ndikim të pamohueshëm te mbretërit e hip-hop-it, për politikën, median dhe policinë kanë lënë gjurmë të thella dhe ende konsiderohen si të rëndësishme për dëgjuesit.
“Temat që ai trajtoi në tekstet e tija janë të përjetshme dhe universale. Ai foli për marrëdhëniet midis bijve dhe prindërve, midis njerëzve dhe qeverive. Ajo për të cilën ai foli ende motivon shumë njerëz,” tha Bond.
Nëna e Tupac, Afeni, kishte një rol jashtëzakonisht dhe ndikim të madh në punën e djalit të saj, si dhe mbajtjen lart të figurës së tij, pas vdekjes derisa dhe ajo vetë u nda nga jeta në vitin 2016-të.
Figura e Tupac mbahet akoma gjallë në SHBA dhe kudo në botë ku ai ende ka fansa që e adhurojnë. Muzika, poezia dhe sendet e tij janë pjesë e shumë ekspozitave në mbarë botën, së bashku me tekstet e shkruara me dorën e tij.
Shumë fansa duan të besojnë se ai është ende gjallë. Interneti “shpërtheu” kur një fotografi e Rihannës në “krah” të Tupac u shfaq në vitin 2012-të, por ekspertët thanë se ishte vetëm një përdorim i zgjuar i photoshopit.
Ka pasur një numër të madh të teorive të konspiracionit duke përfshirë falsifikimin e çertifikatës së vdekjes dhe që ai ishte gjallë dhe fshihej në Kubë.
“Heshtja e 27 viteve të fundit rreth vrasjes së vëllait tim ka qenë prezent në komunitetin tonë. Është e rëndësishme për mua që bota, vendi, sistemi i drejtësisë dhe njerëzit tanë të njohin peshën e vdekjes së këtij njeriu, vëllait tim, djalit të nënës sime, djalit të babait tim”, tha motra e tij Sekyiwa.
Në këto 27 vite shumë dokumentarë, libra, biografi dhe artikuj u realizuan dhe u shkruan rreth Tupac Shakur. Hamendësimet rreth vrasjes së tij që janë diskutuar në mënyrë të përsëritur për dy dekada, por më në fund e kanë një fund.