Nuk duket aspak një tetor normal ky, me temperaturave mbi mesataren.Pas një kalimi të shpejtë të një fronti disi më të ftohtë që do të sjellë shi në zonat verilindore dhe ato qendrore të Italisë, ekspertët atje thonë se zhiva e termometrit do të rritet deri në 8 apo 10 gradë mbi mesataren falë një anticikloni afrikan.
Në javën e parë të tetorit, kujtojnë ata, temperaturat nuk i kalonin mesatarisht 22-23 gradë, ndërsa tani shkojnë në 30 apo 32. Në fakt, sipas Shërbimit të Bashkimit Europian për Ndryshime Klimatike, Copernicus, 2023-shi mund të jetë vitit më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.
Shtatori rezulton i tillë deri tani në mbarë botën. Temperaturat në shtator, këtë vit, thotë Copernicus, kanë qenë gjysmë grade më të larta sesa në shtatorët më të nxehtë në të kaluarën dhe pothuajse një gradë më të larta sesa shtatorët në periudhat 1991- 2020.
“Temperaturat e pashembullta në këtë shtator, që pason një verë me temperatura rekord, i kanë thyer të gjitha rekordet në shkallë të jashtëzakonshme”, ka thënë Samantha Burgess, zëvendësdrejtore e agjencisë së BE-së. Temperaturat në vitin 2023 janë 1.4 gradë Celsius përtej temperaturave të epokës industriale, shpjegon ajo. Kjo shifër është vetëm 0.1 gradë më e vogël sesa objektivi i vendosur në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, që parashikon kufizimin e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit.
Akulli në Antarktik ka arritur në nivele historike të ulëta në shtator, duke mbuluar 9 për qind më pak territor sesa në periudhën 199 –2020. Gjetjet janë bazuar në analiza që përfshijnë miliarda të dhëna nga satelitët, anijet, aeroplanët dhe stacionet meteorologjike në gjithë botën.