Gjykata e Durrësit vendos t’ia dërgojë për shqyrtim kërkesën e Fredi Belerit Gjykatës së Lartë. Do të jetë kjo e fundit që do të vendosë se cila gjykatë do të shqyrtojë kërkesën e Belerit. Kreu i zgjedhur i Bashkisë së Himarës Fredi Beleri kërkoi të betohet si kryebashkiak.Në Gjykatën e Durrësit ishte e pranishme dhe ambasadorja greke Kostantina Kamitsi.
Vetëm pak ditë më parë kryeministri Edi Rama priti ministrin e Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, i cili ndodhej në Tiranë në kuadër të samitit të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.
Pas takimit Gerapetritis, foli për mediat helene ku tha se kishte ngritur edhe çështjen e Fredi Belerit, teksa shton se ka një “devijim të vazhdueshëm nga pala shqiptare”.
“Ky refuzim i vazhdueshëm përbën një devijim të dukshëm nga shteti i së drejtës evropiane dhe sigurisht nga prezumimi i pafajësisë”, theksoi në deklaratën e tij Gerapetritis.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Zoti Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, të cilave ai u është drejtuar sërish me të njëjtën kërkesë.
NJOFTIMI I GJYKATES
Të nderuar,
Në përgjigje të interest të shprehur dhe të e-maileve tuaja, drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës me nëpërmjet së cilës, në bazë të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, në kuadër të informimit për çështje që konsiderohen me interes publik, lidhur me çështjen penale me kërkues shtetasin Dhionisios Alfred Beleri, parashtrojmë si më poshtë:
Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës është depozituar Kërkesa Penale me Nr. 561 Akti, datë 22.09.2023 regjistrimi, me objekt “Kundërshtimin e aktit Nr. 1938 prot. datë 08.09.2023, njoftuar me datë 11.09.2023, pranimin e kërkesës për dhënie leje/autorizim të veçantë.”, me kërkues shtetasin Dhionisios Alfred Beleri dhe palë të interesuara Institucioni për Ekzekutimin e Vendimeve Penale Durrës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë, Prokuroia e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kjo çështe u shqyrtua nga trupi gjykues Znj. Entela Shedula, ku në përfundim, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës vendosi:
1. Të parashtrojë përpara Gjykatës së Lartë mosmarrëveshjen e kompetencës lëndore për gjykimin e kërkesës penale Nr.71029-02531-11-2023/561 regjistri themeltar, datë regjistrimi 22.09.2023, me objekt: Kundërshtimin e aktit Nr. 1938prot, datë 08.09.2023, njoftuar me datë 11.09.2023, pranimin e kërkesës për dhënie leje/autorizimi të vecantë,
2. Dërgimin e kopjes së akteve Gjykatës së Lartë.
3. Një kopje e vendimit do t’i dërgohet për njoftim Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
(VO: Sjellim në vëmendjen tuaj se krahas të drejtës për informim, të dhënat e mësipërme, veçanërisht për nga karakteri që bartin, ndër të tjera, janë edhe objekt i Ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” (I ndryshuar) ku çdo abuzim me të dhënat që përmbajnë këto manteriale passjell përgjegjësi sipas ligjit. Për këtë shkak, kërkohet që përveç zbatimit të legjislacionit në fuqi të tregohet kujdes i shtuar nga subjektet që disponojnë të dhënat në fjalë.)
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, shpreh gatishmërinë maksimale në kuadër të bashkëpunimit me Median, si dhe mbetemi të gatshëm për çdo sqarim apo eventualitet të mundshëm.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,
ZMP
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës