Tre të mitur të moshave 16-17 vjeç janë vënë nën hetim në Tiranë, pasi dyshohet se fitonin shuma të ndryshme parash, nëpërmjet mashtrimit kompjuterik, duke hapur llogari me të dhëna false në rrjete sociale.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Takimi”, u zbulua se të miturit krijonin llogari me të dhëna të falsifikuara të shtetaseve të ndryshme, dhe me anë të postimeve në këto profile, premtoheshin favore seksuale kundrejt pagesave të ndryshme.

Administratorët e këtyre profileve, kërkonin nga të interesuarit që pagesa të kryhej në disa vendndodhje të përcaktuara prej tyre, i merrnin paratë pasi i orientonin të interesuarit për vendet ku duhej të lihej pagesa dhe më pas largoheshin duke i bllokuar personat në llogaritë e tyre, në rrjetet sociale ku komunikonin.

Deri më tani janë zbardhur dhe dokumentuar rreth 150 raste të kësaj skeme mashtrimi kompjuterik, prej të cilave këta tre të mitur kanë përvetësuar shumën rreth 30 000 euro.