Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka sekuestruar 11 pasuri të trafikantëve, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Flakë në det”.

Pasuritë e sekuestruar përfshijnë subjekte, makina, gomone dhe para.

Konkretisht:

1. Shoqëria “Royal Blue” Sh.p.k, e themeluar në datë 26 Tetor 2022 me administratore dhe ortake të vetme me 100% të kuotave shtetasen M.Th. me objekt aktiviteti Bar Restorant dhe adresë Lezhë, Laç, Qarku Lezhë, Bashkia Laç, Njësia administrative Fushë-Kuqe, Fshati Patok, Pasuria nr. 1759, Zona kadastrale 1673;

2. Automjet i markës Volkswagen, modeli Golf viti i prodhimit 2020 ngjyrë e bardhë me targë, në pronësi të N. Ç.;

3. Automjet i markës Audi, modeli Q8, viti i prodhimit 2018, ngjyrë e bardhë, në pronësi të N. Ç.;

4. Automjet i markës Audi, modeli A8, viti i prodhimit 2017, ngjyrë gri e errët, në pronësi të shtetasit A. I.;

5. Automjet i markës Wolkswagen, modeli Golf, viti i prodhimit 2015, ngjyrë gri, në pronësi të shoqërisë “Ayla” shpk.;

6. Mjet lundrues tip Gomone, me ngjyrë gri, me gjatësi 9 m dhe gjerësi 2.7 m, me tre motorë me ngjyrë të zezë, të markës Yamaha 350 V8;

7. Kartëmonedha të prerjes 50 euro, 200 copë, sekuestruar shtetasit A. I.;

8. Shuma monetare 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) Euro, 500 (pesëqind) paund britanik, 50 (pesëdhjetë) franga zvicerane dhe 2 344 500 (dy milion e treqind e dyzetë e katër mijë e pesëqind) lekë, sekuestruar shtetasit N. Ç.;

9. Mjet ujor Zip, gomone me gjatësi rreth 7 metra, me 1 motorr ‘entrobord’, tip Ratox me numër M6237725, ngjyrë e zezë e vendosur në karrelin me numër ROMA86/52;

10. Mjet ujor tip gomone me ngjyrë gri me mbishkrimin AKUILA NERA SEM, me 1 motorr tip SUZUKI, me fuqi 150 hp me numër 02/0z/580020;

11. Mjet ujor tip gomone, ngjyrë e zezë me gjatësi rreth 10m me mbishkrimin “G-RS”, me 2 motor tip Suzuki me fuqi 300 hp secili me numra 3000ZP – 245968 dhe 3000ZP – 245/92.

Hetimet lidhur me këtë procedim penal vazhdojnë me qëllim evidentimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ditën e djeshme, GJKKO la nën arrest me burg Dritan Metën, i cili u arrestua dy ditë më parë. Në pranga ra gjithashtu edhe “baroni i drogës”, Gëzim Çela, banues në Fushë Kuqe, Arben Dalipaj dhe Roland Guza.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestuar dy armë zjarri pistoletë, municione luftarake, një sasi e madhe parash të valutave të ndryshme, 25 celularë, si dhe 25 kg kanabis të gjetura në det në afërsi të vendit ku u fundos veliera dhe një gomone.

Policia thotë se trafikantët që ndodheshin në velierë, sapo kanë pikasur se ishin rrethuar nga Policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të largohen me një barkë të vogël shpëtimi, por janë kapur në flagrancë.

Në operacion u përfshinë efektivë dhe mjete të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, si dhe Reparti Special “RENEA”. Operacioni i zhvilluar nga Policia e Shtetit, është koordinuar dhe mbështetur nga Guardia di Finanza, Interforca italiane në Shqipëri dhe Frontex.

Mjeti u nis nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin dhe u afrua pranë një tjetër mjeti lundrues tip veliere dhe më pas shtetasit që ishin në këto mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.

Në operacion u përfshinë avionët e Frontex-it dhe të GDF-së, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjetet e GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e veleries.   Në të njëjtën kohë me ndërhyrjen nga deti, efektivët e Repartit Special “RENEA” kanë ndërhyrë nga toka, në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku po qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike.