Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në 20:45 kundër Çekisë në “Air Albania”, për grupin E të Euro 2024. Kuqezinjtë vijnë në këtë duel si kryesues të grupit, teksa përballen me skuadrën që nuk ka humbur asnjë takim në këto kualifikuese.
Tanimë atmosfera është ndezur në Tiranë, me Tifozat Kuq e Zi që janë grumbulluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me veshje kuqezi, tifozët po mbërrijnë nga mbarë trevat shqipfolëse, me duelin që është më shumë se i rëndësishëm për kalimin më tej drejt “Gjermani 2024”.
Përgatitjet kanë nisur edhe nga forcat e policisë, me 1700 efektivë që janë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e këtij eventi dhe shmangur përplasjet mes tifozëve. Do jenë afro 600 tifozë çek në “Air Albania”, me stadiumin që do jetë i mbushur në kapacitet maksimal dhe tanët në sektorët e stadiumit do kenë nga një plis për koreografinë.
Danny Makkelie do jetë arbitri i këtij takimi, me holandezin që është ndër arbitrat më të mirë në Evropë dhe me profesion është polic. Në rast se tanët kalojnë në fazën finale të Euro 2024, Federata Shqiptare e Futbollit do arkëtonte një shumë prej 9.25 milionë eurosh në llogarinë bankare, kjo si pjesëmarrës në “Gjermani 2024”.
Sa i takon formacionit, Sylvinho ka projektuar skemën 4-3-3. Në portë pritet Berisha, ndërsa në mbrojtje Mitaj, Gjimshiti, Ajeti, Hysaj; mesi i fushës, Bajrami, Asllani, Ramadani; në sulm pritet të luajnë Asani, Seferi dhe Cikalleshi.
Kujtojmë se pas pesë ndeshjeve në grupin E kualifikues të Euro 2024, Shqipëria mban vendin e parë në grup me 10 pikë, dy më shumë se Çekia që ka edhe një ndeshje më pak. Më pas Moldavia me tetë pikë, Polonia me gjashtë dhe mbyllin klasifikimin Ishujt Faroe me një pikë.