Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi dje 3-0 kundër Çekisë, në ndeshjen e grupit E kualifikues të Euro 2024. Në “Air Albania” kuqezinjtë “shkërmoqën” kundërshtarët, teksa te çekët trajneri Jaroslav Silhavy është në diskutim për të vijuar punën. Pas ndeshjes, numri një i stolit të Çekisë tregoi se ia ka frikën edhe një shkarkimi, megjithëse janë edhe dy ndeshje deri në fundin e kualifikueseve.

“Dorëheqja? Sigurisht që do të zgjidhet, kjo është e qartë. Megjithatë, detyra ime tani është të përgatis ekipin për të dielën, që është një kohë e shkurtër. Nuk e di se çfarë do të dalë nga drejtuesit. Natyrisht që humbja 0-3 është një rezultat i keq. Unë e marr keq. Pastaj gjithmonë shikon se si ka qenë zhvillimi e kështu me radhë. Nuk dua të justifikoj kartonin e kuq, por kur luan me 10 lojtarë tregon shumë. Situata në grup është ende e vështirë, por ne ende e kemi në duart tona. Tani kemi Ishujt Faroe në shtëpi, pastaj shkojmë në Poloni. Jemi ende në kohë dhe varet nëse do të kemi sukses në ndeshjet e rradhës”, tha trajneri çek.

Duket se Shqipëria “ha koka” trajnerësh, teksa pasi kuqezinjtë mundën Poloninë, trajneri i këtyre të fundit, Fernando Santos u shkarkua një muaj më parë.