Intervista e posaçme me Adrian Fullani, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë

Ndonëse vendi ka shënuar rritje të kënaqshme ekonomike vitet e fundit, duke pasur parasysh krizat globale, kjo tendencë nuk duket të jetë transmetuar në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Adrian Fullani, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë, thotë në një intervistë të posaçme për “Monitor” se të dhënat indirekte tregojnë se nuk duhet të ketë pasur një shpërndarje të barabartë dhe proporcionale.
Madje, edhe nëse ka pasur një shpërndarje, kjo duhet të ketë qenë e pamjaftueshme për të garantuar qëndrueshmërinë financiare dhe ekonomike të familjes, si njësi bazë e jetës ekonomike, shton z. Fullani, duke iu referuar shifrave të largimit të të rinjve dhe veçanërisht të profesioneve të caktuara, që përbëjnë pjesën më të mirë të kapitalit human. Ish-guvernatori shton se, ndonëse nuk është kundër modelit të kullave dhe ndërtimit në përgjithësi, nëse ngritja e tyre dhe e pasurive të tjera të paluajtshme nuk vjen si rrjedhoje e kërkesës së qëndrueshme të ekonomisë, atëherë ka të ngjarë të shkaktojë problematika te stabiliteti financiar dhe makroekonomik në afatin e mesëm e të gjatë.

Si do ta vlerësonit situatën globale aktuale si në rrafshin gjeopolitik, edhe në atë ekonomik e financiar? Po ekonomia vendase si ka ecur në raport me këto zhvillime?

Situata globale paraqitet mjaft e ndërlikuar në rrafshin politik, ekonomik e financiar.

Lufta në Ukrainë është vetëm një nga problematikat dhe ndoshta më e dukshmja por, fenomeni kryesor në gjeopolitikën botërore është lufta ndërmjet fuqive ekonomike e shprehur në formën e vet më të qartë në tensionimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Kinës dhe përpjekjet e tyre e të Rusisë për ridimensionimin e hegjemonisë dhe rendit botëror.

Aktualisht, fuqitë ekonomike kryesore, jo vetëm Kina dhe SHBA, konkurrojnë për zotërimin e burimeve ekonomike dhe teknologjive të së ardhmes, e mbi të gjitha, për të kontrolluar informacionin dhe Inteligjencën Artificiale.

Të gjitha këto kanë bërë që bota të përjetojë një tendencë deglobalizimi, e shfaqur në tkurrjen e marrëdhënieve ekonomike e financiare dhe tensionimin e atyre politike ndërmjet vendeve dhe rajoneve.

Kjo ka dëmtuar gjithashtu rrjetet e prodhimit dhe të furnizimit global. Për më tepër, ka vënë në vështirësi sigurinë e furnizimit me lëndë të para, materiale dhe teknologji të avancuara, që janë thelbësore për teknologjinë në ditët e sotme.

Mjafton të japim si shembull industrinë e prodhimit të mikroçipeve, për të cilat Tajvani siguron pjesën kryesore të ofertës botërore.

Imagjinoni se çfarë do të thoshte një konflikt në rajon apo goditje tjetër negative si p.sh. embargo apo kufizime të tjera të mundshme nga Kina, për industrinë botërore të prodhimit të kompjuterëve dhe çdo produkti tjetër si pajisjet elektroshtëpiake, makinat, telekomunikacionin e deri tek industria ushtarake.

Një situatë e ngjashme e goditi prodhimin e mikroçipeve gjatë pandemisë së COVID-19, duke shkaktuar pasoja negative të konsiderueshme në ofertën e produkteve në ekonominë globale.

Kjo analizë dhe raste të ngjashme si embargo ndaj naftës ruse, si pjesë e sanksioneve në përgjigje të pushtimit rus në Ukrainë, tregon se gjeopolitika dhe ekonomia janë të lidhura ngushtësisht dhe kolapsi i njërës, natyrisht shkakton problematika të mëdha në tjetrën.

Kjo situatë bëhet edhe më kritike nga fakti se ekonomia botërore nuk e ka marrë ende veten nga efektet e krizave të njëpasnjëshme që kanë goditur nga viti 2008 dhe pasojat e tyre negative (kriza financiare globale e 2008, kriza europiane e borxhit, pandemia e COVID-19, lufta në Ukrainë).

Bilancet e qeverive, bizneseve dhe të familjeve janë të rënduara nga borxhet, që aktualisht janë më të lartat në historinë moderne. Ndërkohë, bilancet e bankave qendrore janë të fryra si rezultat i politikave mbështetëse për të dalë nga këto kriza.

Nën ndikimin e këtyre faktorëve, tregjet e të mirave, shërbimeve dhe ato financiare mbeten në ekuilibra të brishtë. Në përgjithësi, mund të thuhet se situata në ekonominë globale mbetet problematike dhe e rënduar nga pasiguritë ekonomike e gjeopolitike.

Përkundrejt këtyre zhvillimeve, ekonomia jonë mund të thuhet se ka ecur mjaftueshëm dhe ka përfituar në disa drejtime, ku më kryesori vlerësohet të jenë efektet pozitive të rritjes së kërkesës globale pas pandemisë.

Kjo është shprehur në rritjen e disa sektorëve si turizmi dhe ndërtimi. Njëkohësisht, është për të vlerësuar se, pavarësisht goditjeve të konsiderueshme të çmimeve në tregjet globale, si rezultat i pandemisë dhe luftës në Ukrainë, ekonomia shqiptare ka përjetuar një inflacion më të ulët se ekonomitë e tjera të Eurozonës dhe të rajonit tonë.

Megjithatë, vërehen deformime sektoriale, të cilat mund të bëhen shkak për zhbalancime makrofinanciare me efekt të ndjeshëm në ekonomi, sektorin privat dhe familjet, e prej këtu në sistemin bankar.

Cili ka qenë roli i bankave qendrore, përfshi edhe Bankën e Shqipërisë për të amortizuar pasojat e goditjeve që ka marrë ekonomia globale e lokale?

Duhet të kuptohet se bankat qendrore kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm për të përballuar goditjet e përsëritura negative që ka marrë ekonomia globale, të cilat kanë qenë të shpeshta dhe të mëdha në dy dekadat e fundit.

Më lejoni t’ju kujtoj se krizat e përmendura më lart shkaktuan goditje të jashtëzakonshme. Në përgjigje të këtyre goditjeve, bankat qendrore kanë dhënë mbështetje të jashtëzakonshme.

Së pari, ato u përgjigjën duke i ulur normat e interesit në zero ose afër zeros, madje në disa raste, edhe në territor negativ për një periudhë të zgjatur kohore.

Kur kjo lëvizje nuk mjaftoi, bankat qendrore ofruan sasi të konsiderueshme likuiditeti për sektorin privat dhe për familjet, duke i rritur bilancet e tyre me disa herë.

Madje, në rastin e bankave qendrore kryesore si Rezerva Federale e Amerikës dhe Banka Qendrore Europiane, të cilat janë emetuesit e monedhave që luajnë rolin e rezervave botërore, bilancet u rritën pothuajse 9 herë nga niveli ekzistues para krizës financiare globale.

Kjo përgjigje është e paprecedentë në historinë e banking-ut qendror. Ajo kërkoi ndryshimin e vetë teorisë, mentalitetit dhe praktikës së banking-ut qendror, që u shpreh në mënyrën e vet më të qartë në fjalët e presidentit të Bankës Qendrore Europiane, z. Mario Draghi, i cili deklaroi se “do të bëjmë çfarëdo që të jetë e nevojshme për të shpëtuar ekonominë”.

Megjithatë, lufta ende nuk ka mbaruar sepse, siç thashë më lart, bilancet e familjeve, bizneseve dhe të qeverive e madje dhe të vetë bankës qendrore, mbeten jashtëzakonisht të fryra. Borxhet janë të mëdha, tregjet përjetojnë inflacion dhe çmimet e pasurive janë gjithashtu të fryra, ndërkohë që kërkesa botërore mbetet e brishtë.

Rrjedhimisht tani, pas kalimit e pandemisë, është e nevojshme të fitohet lufta për normalizimin e situatës dhe kthimin në normalitet të parametrave të shëndetit makroekonomik e financiar, që duhet të vazhdonte në mënyrë të vazhdueshme deri në rënien inflacionit bazë.

Ky normalizim kërkohet si për nivelin e borxhit në sektorin privat e shtetëror, ashtu edhe në normalizimin e bilanceve të bankës qendrore dhe eliminimin e dominancës fiskale.

Në këndvështrimin praktik, politika monetare duhet të shtrëngohet për të luftuar inflacionin dhe, së bashku me të, do të duhet të tërhiqen edhe sasitë e tepërta të likuiditetit që qarkullojnë në ekonominë botërore (që do të thotë rritja e normës së interesit dhe ngushtim i bilanceve të bankës qendrore).

E gjithë kjo duhet të bëhet pa dëmtuar ekonominë, investimet dhe prodhimin, pa shkaktuar kolapsin e borxhit të qeverive dhe të sektorit privat dhe humbjen e sovranitetit ekonomik.

Në lidhje me Bankën e Shqipërisë mund të themi se ka kryer me sukses rolin e vet për të mbështetur ekonominë dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit bankar. Që prej 2008-s, ajo ka vepruar me të njëjtat mjete e metoda sikurse edhe banka e tjera qendrore.

Konkretisht, politika monetare e uli normën e interesit në nivelin më të ulët historik prej 0.5%, pothuajse në nivelin 0. Njëkohësisht, që prej vitit 2013, masat e politikës u shoqëruan me masa makroprudenciale për të lehtësuar rritjen e kreditimit dhe furnizimin e ekonomisë me likuiditetin e nevojshëm për vazhdimin e aktivitetit ekonomik.

Për ta shpjeguar më thjesht, mund të thuhet se këto masa makroprudenciale krijuan lehtësi të përkohshme rregullative, që u lejonin bankave të jepnin kredi dhe klientëve të tyre të vazhdonin aktivitetin ekonomik, pa u penalizuar nga kufizimet e kërkesave rregullative që administrojnë aktivitetin bankar në kushte normale.

Këto procedura u ripërdorën edhe gjatë pandemisë së COVID-19 dhe luftës në Ukrainë.

Monedha vendase ka fituar vazhdimisht pikë ndaj Euros gjatë viteve të fundit, ndonëse nuk ka pasur zhvillime domethënëse me bilancin e pagesave. Sipas jush, cilat janë arsyet kryesore të zhvlerësimit. Çfarë avantazhesh dhe disavantazhesh i ka sjellë vendit një Euro e dobët?

Forcimi i monedhës kombëtare gjatë viteve të fundit është një nga fenomenet dominuese në ekonominë shqiptare.

Më duhet të them se konstatimi nga pyetja juaj nuk është shumë i saktë. Monedhat janë të pafajshme, kursi i këmbimit nuk është shkaku, por pasoja.

E vërteta është se ka disa zhvillime të rëndësishme, të cilat janë evidentuar në ekonominë shqiptare, që e kanë nxitur këtë forcim.

Së pari, duket se kemi një ndryshim strukturor në ekonomi, ku bie në sy rritja e shpejtë e eksportit të shërbimeve krahas eksportit të mallrave.

Së dyti, duket se ka një rritje të qëndrueshme në flukset hyrëse valutore të llogarisë kapitale në formën e investimeve dhe të detyrimeve të tjera financiare.

Këto tendenca janë bërë veçanërisht të dukshme këtë vit, jo vetëm në rritjen e shpejtë të eksportit të shërbimeve, kryesisht turizmit dhe të investimeve, përfshirë ato në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Të gjitha këto së bashku janë manifestuar në tkurrjen e bilancit të llogarisë korente, i cili për herë të parë në 30 vite ka zbritur nën nivelin 3% të PBB. Përgjithësisht, mund të thuhet se zhvillimet e kursit të këmbimit gjatë viteve të fundit duket se shpjegohen nga këta faktorë fondamentalë.

Kjo nënkupton se kursi u përgjigjet zhvillimeve të aktivitetit ekonomik, të tregtisë së jashtme, zhvillimeve inflacioniste, atyre monetare, të borxhit dhe të normave të interesit. Në këtë kuptim, zhvlerësimi mund të konsiderohet i natyrshëm dhe ndoshta i shëndetshëm.

Për sa kohë që flukset valutore hyjnë dhe qarkullojnë në ekonomi për blerjen e të mirave dhe shërbimeve, ato ndikojnë kursin e këmbimit dhe bëhen pjesë e faktorëve fondamentalë.

A janë këto fenomene të qëndrueshme? Mos vallë po shkojmë drejt një ekonomie të re, drejt një modeli të ri? Jo! Është e nevojshme të tërheqim vëmendjen në dy drejtime kryesore.

Së pari, duhet të theksohet se kursi i këmbimit është forcuar si rezultat i rritjes së tregtisë me botën në dy sektorë të patregtueshëm, si turizmi dhe pasuria e paluajtshme.

Këta janë sektorë të patregtueshëm në kuptimin që produktet konsumohen nga të huajt në territorin e ekonomisë sonë, ndryshe nga eksportet e mallrave që konsumohen nga të huajt në ekonomitë e tyre.

Ky fenomen kërkon vëmendje, pasi goditjet negative në sektorët e patregtueshëm janë më të vështira për t’u rikuperuar se goditjet në sektorët e tregtueshëm, produktet e të cilëve mund të eksportohen në tregje të tjera.

Njëkohësisht, duhet mbajtur parasysh fakti se forcimi i Lekut godet disa industri të tjera, degë të eksportit të cilat humbasin konkurrueshmërinë dhe kapacitetin për të eksportuar. Konkurrueshmëria është alfa dhe omega e ekonomisë së tregut, për një ekonomi të vogël dhe të hapur siç është ekonomia shqiptare.

Së dyti, duhet pasur parasysh që, përveç humbjes së konkurrueshmërisë, forcimi i Lekut ka efekt mbi të gjithë treguesit e tjerë makroekonomikë e financiarë të vendit, edhe në rastin kur ky forcim shpjegohet nga faktorët fondamentalë.

Kjo edhe për rrjedhojë të shkallës së lartë të euroizimit, forcimi ndikon bilancet e familjeve dhe të sektorit privat, e prej tyre edhe bilancet e sistemit bankar.

Për më tepër, nëpërmjet këtyre bilanceve, ndryshimet e shpejta të kursit prekin edhe treguesit e kërkesës, kostot e punës, investimet, kursimet, etj., duke dhënë efekte në ekonomi dhe stabilitetin e saj.

Në të gjithë sinoptikën e zhvillimit afatmesëm e afatgjatë të ekonomisë shqiptare, një kurs i mbivlerësuar nuk do të ishte real dhe i shëndetshëm për ekonominë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar në raportin e fundit rrezikun që mund t’i vijë sistemit financiar nga një rënie e aktivitetit të pasurive të paluajtshme. Sipas jush, nga ka ardhur bumi i ndërtimit dhe a rrezikohet një flluskë e pasurive të paluajtshme. Sa i përgatitur dhe i ekspozuar është sistemi financiar nëse ndodh një rënie e këtij tregu?

Siç e theksova, një pjesë e mirë e forcimit të Lekut shpjegohet edhe nga investimet e jorezidentëve (të huajt apo shqiptarët që jetojnë jashtë vendit) në pasuri të paluajtshme.

Në fakt, aktiviteti i sektorit të ndërtimit ka qenë një nga faktorët e vazhdueshëm të rritjes ekonomike dhe burim i flukseve hyrëse valutore në vend.

Rrjedhimisht, tkurrja ose goditjet negative në këtë aktivitet do të shkaktonin njëkohësisht rënie të PPB-së dhe të flukseve valutore, të ndjekura nga efektet sekondare në çmimet e pasurive të paluajtshme.

Teoria dhe praktika e ekonomiksit na tregon se, së bashku, këto fenomene do të çonin në zhvlerësimin e Lekut dhe përkeqësimin e bilanceve të sektorit privat, uljen e vlerës së kolaterialit dhe aftësisë paguese të kredisë, duke cenuar stabilitetin financiar të kredimarrësve dhe të investitorëve në këtë sektor të rëndësishëm.

Nga ky shpjegim është e qartë se goditjet negative në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme do të cenonin stabilitetin makroekonomik e financiar të vendit.

Prandaj, është e rëndësishme që, zhvillimi i këtij sektori dhe fenomenet që e ndikojnë atë, të ndiqen me vëmendje, jo vetëm nga autoritetet, por edhe nga vetë investuesit në këtë sektor.

Aktualisht, ka shumë optimizëm dhe investime në këtë sektor dhe si rrjedhim, ka një rritje të shpejtë të ofertës së pasurive të paluajtshme, të kërkesës dhe të këtyre pasurive. Njëkohësisht duhet të mbahet parasysh se ka disa elemente (fondamentalë afatgjatë) të kërkesës, të cilët nuk janë në përputhje me këto tendenca të ofertës dhe të çmimeve.

Së pari, faktori demografik është përgjithësisht negativ, pasi sipas të gjithë parashikimeve, pritet të ketë tkurrje të popullsisë. Për më tepër, struktura e popullsisë po anon nga grupmoshat e mëdha. Me fjalë të tjera, kemi një plakje të shpejtë që nuk e mbështet rritjen e kërkesës në afatin e gjatë.

Së dyti, rritja e çmimit e pasurive të paluajtshme është shume më e shpejtë se rritja e të ardhurave të familjeve dhe të ekonomisë në përgjithësi.

Së treti, gati 90% e shqiptarëve jetojnë në shtëpitë e tyre dhe lëvizjet e brendshme demografike (nga rrethet në drejtim të Tiranës) të cilat mund të përdoren për të shpjeguar rritjen e tregut të qirave, pritet të ngadalësohen me zhvillimet negative demografike. Sipas këtyre faktorëve, por edhe faktorëve të tjerë, rritja e ofertës dhe e çmimeve, nuk duket shumë e justifikuar.

Së fundi, dua të përmend një faktor tjetër të rëndësishëm që duhet të mbahet parasysh. Një pjesë e kërkesës në tregun e pasurive vjen edhe nga jorezidentët.

Kjo kërkesë është natyrisht e nxitur edhe nga politikat monetare mbështetëse në ekonomitë e zhvilluara, kryesisht të Eurozonës, të shkaktuara nga rritja e bilanceve të bankave qendrore dhe politikat lehtësuese afatgjata.

Është e natyrshme që shtrëngimi i politikës monetare dhe tërheqja e likuiditetit nga bankat qendrore në tregjet globale të kapitalit do të ndikojnë negativisht kërkesën e huaj për pasuritë e paluajtshme.

Rrjedhimisht, modeli aktual e vendos sektorin dhe investitorët (qofshin këta ndërtuesit apo kompani të tjera me qëllim investimi në pasuri të paluajtshme) jo vetëm nën presionin e kushteve monetare e financiare të brendshme, por edhe nën presionin e zhvillimeve monetare e financiare në ekonomitë e zhvilluara dhe në tregjet e globale të kapitalit.

Si do ta vlerësonit ecurinë e ekonomisë në dekadat e fundit, krahasuar dhe me rajonin. Si është transmetuar kjo rritje në shpërndarjen e pasurisë? Po modeli i Tiranës me kulla çfarë i sjell vendit në të ardhmen?

Nëse bazohemi vetëm në statistikat makroekonomike si p.sh. rritja e ekonomike, mund të thuhet se ka qenë një periudhë e mirë, duke pasur parasysh se çfarë ka ndodhur në ekonominë globale, Eurozonë dhe në rajon.

Ekonomia jonë ka performuar mjaftueshëm nëse krahasohet me vendet e tjera të rajonit.

Gjithashtu, është e domosdoshme të analizohen ingredientët dhe faktorët që influencojnë në rritjen ekonomike.

Një problem tjetër i rëndësishëm që duhet të bëhet objekt debati dhe duhet të analizohet është pabarazia.

Si është transmetuar kjo rritje pozitive te shtresat e popullsisë, pra a kanë përfituar të gjithë njësoj proporcionalisht, apo jo? Vlerësimet mbeten kryesisht në nivel hipotezash, pasi nuk kemi statistika, të qarta krahasuese me karakter mikroekonomik, në nivel familje dhe individi.

Megjithatë, ka disa tregues të tërthortë që sugjerojnë se nuk duhet të ketë pasur një shpërndarje të barabartë dhe proporcionale.

Madje, edhe nëse ka pasur një shpërndarje, kjo duhet të ketë qenë e pamjaftueshme për të garantuar qëndrueshmërinë financiare dhe ekonomike të familjes si njësi bazë e jetës ekonomike.

Me këtë kam parasysh shifrat e larta të largimit të të rinjve dhe veçanërisht të profesioneve të caktuara, që përbëjnë pjesën më të mirë të kapitalit human.

Një tregues tjetër i tërthortë është fakti se kostoja e reklamuar e jetesës p.sh. çmimet e apartamenteve dhe qirave janë rritur shumë më shpejt se të ardhurat nga puna.

Shikoni p.sh. çmimet e fundit të referencës për apartamentet. Tani zona e Astirit vlerësohet me 1200 Euro/m2 (sipas lajmeve).  A janë rritur pagat/të ardhurat e familjeve të zonës me të njëjtat ritme?

Modeli i kullave
Modeli i kullave nuk është i dëmshëm në vetvete, për sa kohë ngritja e kullave dhe e pasurive të tjera të paluajtshme vjen si rrjedhojë e kërkesës së qëndrueshme të ekonomisë. Kur kullat dhe ndërtimet e tjera janë rrjedhojë e kërkesës së aktiviteteve prodhuese që do t’i përdorin këto për të gjeneruar prodhim mallrash e shërbimesh, ato nxisin rritjen e punësimit, rritjen e pagave dhe të ardhurave në ekonomi. Ky është një model i suksesshëm dhe pozitiv. Por, nëse kullat nuk shoqërohen me kushtet e përmendura më lart, atëherë modeli ka të ngjarë të shkaktojë problematika te stabiliteti financiar dhe makroekonomik në afatin e mesëm e të gjatë. 

Një tregues tjetër indirekt i shpërndarjes është edhe përbërja e PPB-së, konkretisht shpërndarja e tij në degët e ekonomisë. Përqendrimi në një apo dy sektorë ka të ngjarë që të shkaktojë një shpërndarje jo të drejtë dhe të rrisë pabarazinë.

Shembulli aktual i drejtpërdrejtë për këtë është efekti negativ që forcimi i Lekut, shkaktuar nga rritja e turizmit dhe shitja e pasurive të paluajtshme, ka mbi sektorët e tjerë të eksportit.

Modeli i kullave, që ju i referoheni në pyetjen tuaj, nuk është i dëmshëm në vetvete, për sa kohë ngritja e kullave dhe e pasurive të tjera të paluajtshme vjen si rrjedhojë e kërkesës së qëndrueshme të ekonomisë.

Kur kullat dhe ndërtimet e tjera janë rrjedhojë e kërkesës së aktiviteteve prodhuese që do t’i përdorin këto për të gjeneruar prodhim mallrash e shërbimesh, ato nxisin rritjen e punësimit, rritjen e pagave dhe të ardhurave në ekonomi.

Ky është një model i suksesshëm dhe pozitiv. Nëse kullat nuk shoqërohen me kushtet e përmendura më lart, atëherë modeli ka të ngjarë të shkaktojë problematika te stabiliteti financiar dhe makroekonomik në afatin e mesëm e të gjatë. Për ta shpjeguar pak më gjatë, do të ndalem në tre taste të veçanta:

1.Në rastin kur ndërtimet synojnë tregun e brendshëm dhe financohen nga kredia bankare, çmimet e larta rrisin barrën e borxhit që familjet dhe bizneset marrin përsipër në rastin e blerjeve me kredi.

Nëse të ardhurat, shitjet apo ekonomia në përgjithësi pëson një goditje negative, ose në rastet kur norma e interesit ndryshon si rrjedhojë e shtrëngimit të politikës monetare, barra e borxhit bëhet e vështirë për t’u përballuar.

Kjo situatë mund të dëmtojë bilancet e tyre në atë masë sa të mos jenë në gjendje të shlyejnë kredinë, apo të mbyllin nevojat e menjëhershme të konsumit. Këto probleme financiare të familjes dhe biznesit me shumë gjasa do të transferohen edhe në sistemin bankar që i ka mbështetur me kredi.

2.Në rastin kur këto ndërtime janë investime të financuara nga kursimet, mosshfrytëzimi i tyre për aktivitete prodhuese dëmton drejtpërdrejt investitorët, pasi ata nuk materializojnë fitim nga investimi.

Kjo dëmton në mënyrë të tërthortë edhe ekonominë, sepse këto fonde mund të ishin përdorur/investuar në një aktivitet tjetër me eficiencë, për të krijuar prodhim e për të gjeneruar punësim.

3.Në rastin e tretë, kur ndërtimet bëhen e financohen nga të huajt, jorezidentët, kjo kërkesë e huaj (e cila duke pasur të ardhura më të larta përballon çmime më të larta) rrit çmimet e pasurive të paluajtshme në atë masë sa i bën të papërballueshme nga familjet e bizneset vendase, duke rritur edhe më tej pabarazinë (për t’u kthyer te fillimi pyetjes suaj).

Nëse ndodh kjo, atëherë fillon një cikël vicioz degradimi.

Të ardhurat nuk janë të mjaftueshme për të përballuar shtëpinë, njerëzit largohen, kjo sjell rënie të kapaciteteve prodhuese dhe të konsumit në ekonomi, që shkakton një rënie të mëtejshme të të ardhurave dhe rritje të pabarazisë. Përsëritja e këtij cikli nxit më shumë emigrim e pabarazi dhe rënie të mëtejshme të prodhimit e të të ardhurave në ekonomi.

Megjithatë, për të qenë më të saktë në këtë përgjigje, dua të them se nuk jam kundër modelit të kullave dhe ndërtimit në përgjithësi, përkundrazi, në rastin kur ato mbështeten nga planet e zhvillimit të qëndrueshëm, aktiviteti ekonomik dhe zhvillimet demografike, trendet e zhvillimit të tregjeve financiare, zinxhirit të shpërndarjes dhe ato të qendrave urbane, ky është një zhvillim pozitiv.

Është detyrë e qeverisë qendrore dhe vendore të orientojnë investimet me plane të qarta zhvillimore dhe të marrin masa për përmbushjen e këtyre planeve.

Në të kundërt, ka mundësi të materializohen rreziqet që përmenda më lart. Shqipëria po përgatitet për vlera të mëdha investimesh, kryesisht në turizëm, por edhe në degë të tjera, me vlerë disa qindra milionë euro.

Njëkohësisht, në këtë kontekst, do të ishte e udhës dhe e domosdoshme përqasja e Bankës Qendrore për akomodimin e këtij fluksi monetar, për të zbutur efektet në çmime, inflacion, borxh, punësim dhe stabilitet ekonomik.

Nëse këto investime nuk janë të suksesshme, ose nuk materializojnë fitimin e pritshëm, kjo mund të shkaktojë tërheqjen e investitorëve, flukse dalëse valutore dhe zhvlerësimin e shpejtë të Lekut.

Banka e Shqipërisë duhet të ketë kapacitetin e nevojshëm për të garantuar mirëfunksionimin e tregut dhe për të kontrolluar shpejtësinë e zhvlerësimit të Lekut, si dhe për të shmangur spekulimet mbi monedhën kombëtare.

Rrjedhimisht, Banka e Shqipërisë duhet të rrisë rezervën valutore në mënyrë të ndjeshme, për t’u mbrojtur nga këto fenomene, veçanërisht në prognozën e tkurrjes globale.

Qeveria duket e vendosur për të bërë një amnisti fiskale. Si i gjykoni avantazhet dhe disavantazhet që sjell kjo amnisti dhe cila prevalon (ka më shumë avantazhe apo disavantazhe?

Në lidhje me amnistinë fiskale, diskutimi që bëjmë mbetet në nivel teorik dhe pa përgjigje definitive.

Kjo sepse amnistia mund të ketë efekte afatgjata pozitive apo negative në varësi të specifikimit të objektivave, politikave, instrumenteve, eficiencës dhe korrektësisë së ekzekutimit.

Duhet thënë se amnistia fiskale nuk është tabu nëse i dedikohet zhvillimit të vendit dhe rritjes së të ardhurave, si dhe investimeve prodhuese në ekonomi.

Ka disa aspekte të rëndësishme që duhet të kihen parasysh, të cilat janë diskutuar gjerësisht si p.sh. pastrimi i parave të krimit, sektorët e investimit, mënyrat dhe instrumentet e investimit, kostot e përballuara nga ata që formalizohen, etj.

Do të doja ta vendosja theksin në një pikë që nuk përmendet shpesh, e cila është e rëndësishme sidomos për pabarazinë.

Nëse amnistia nuk mban parasysh dhe shpërblen vetëm ata që legalizojnë pasurinë, atëherë ajo njëkohësisht dëmton të gjithë ata që kanë kryer biznes dhe ndërtuar jetën mbi baza formale, duke e deklaruar aktivitetin dhe duke paguar proporcionalisht taksat.

Një amnisti që nuk e merr këtë parasysh e kthen kategorinë e fundit në “humbës” dhe çon në rritjen jo vetëm të pabarazisë ekonomike sot, por edhe në thellimin e mëtejshëm të pabarazisë në të ardhmen.

Kjo lloj amnistie nuk gjen mbështetje në publik dhe dëmton besimin te shteti dhe politikat e tij ekonomike.

Rrjedhimisht, për sa kohë nuk ka një plan të qartë konkret që detajon se cilat do të jenë parimet kryesore, çfarë do të amnistohet dhe si do të ekzekutohet amnistia, duke mbajtur parasysh edhe efektet negative apo pozitive që lidhen me ndikimet e tërthorta te familjet dhe bizneset shqiptare, është e vështirë të jepet një opinion përfundimtar mbi përfitimet apo kostot e saj.

Megjithatë, kam përshtypjen se zhvillimet e tregut valutor tregojnë se po kalojmë një soft fiscal amnisty.

Shqipëria miratoi rreth një vit më parë një ligj që rregullon aktivitetin e kriptovalutave në vend. Si e shikoni këtë lëvizje?

Ekonomia botërore po kalon një fazë të rëndësishme derregullimi financiar, duke testuar një sërë instrumentesh të rinj financiarë, të mbështetur në një mori monedhash virtuale.

Ky nocion është një realitet në tregjet valutore financiare botërore dhe po nxit një sërë ndryshimesh të domosdoshme në vetë konceptin e parasë dhe përdorimit të saj.

Në pamje të parë, të duket sikur këto të dyja do bëhen një. I ashtuquajturi “crypto market” po rritet dhe zhvillohet çdo ditë.

Mjaft institucione financiare, lojtarë me peshë në tregjet financiare botërore, po marrin pjesë, zënë pozicione dhe investojnë në teknologji.

Për momentin mund të themi se po qëndrojmë në dy botë të ndryshme të monedhës, atë të parasë tradicionale dhe atë të parasë Crypto.

E para është pjesë e jetës sonë po aq natyrshëm sa edhe ndërveprimi njerëzor.

E dyta ka hyrë me forcë, shumë zhurmë dhe shumë premtime në jetën tonë, por nuk është ende para, pavarësisht se mbajtësit e saj e konsiderojnë një të tillë. Këta luajnë një rol aktiv në emetimin e saj, kryejnë transaksione dhe e investojnë.

Por sic e thamë edhe më lart, ndryshe nga paraja tradicionale, Crypto nuk ka një institucion që e njeh si detyrim fundor pagesën e vlerës së saj.

Për shumë arsye, tregu crypto është shumë i luhatshëm, nuk është i rregulluar plotësisht, ka mungesa ligjore dhe është shumë i fragmentuar. Mendoj se ky treg është për investitorët me oreks të lartë për rrezikun.

Kjo sepse hapësira crypto është përgjithësisht një hapësirë e parregulluar, jo vetëm për monedhat dixhitale, por edhe instrumentet e rinj financiarë që po zhvillohen mbi to. I ashtuquajturi “crypto market” po rritet dhe zhvillohet çdo ditë, duke u pasuruar me instrumente dhe lojtarë të rinj.

Mjaft institucione financiare, lojtarë me peshë në tregjet financiare botërore, po bëhen pjesë e tij, duke marrë pozicione dhe duke investuar në teknologji.

Në mungesë të ligjeve dhe rregullave të mirëpërcaktuara, tregjet e kriptomonedhave po testojnë dhe tregtojnë një sërë instrumentesh të reja të bazuara në monedhat Crypto, duke ndryshuar realitetet e tregjeve valutore dhe atyre financiare botërore.

Boshllëku ligjor e rregullativ po nxit një sërë ndryshimesh në vetë konceptin e parasë dhe përdorimit të saj. Rrjedhimisht, e ardhmja është shumë kërcënuese, me ndryshime themelore që prezantojnë një koncept të ri të monedhës dhe ndërveprimin e saj me teknologjinë.

Në fakt, duket sikur këto të dyja do të bëhen një. Për këtë arsye, një vëmendje e shtuar e politikëbërësve sot në botë është përqendruar në rregullimin, formalizmin dhe funksionimin e përshtatshëm të këtij tregu.

Një nga këto përpjekje është edhe ideimi, studimi dhe emetimi i CBDC ose Monedha Dixhitale e Bankave Qendrore, të cilat do të jenë ndoshta të në majë të piramidës së monedhave të së ardhmes.

Në lidhje me ligjin e kriptomonedhave vlerësoj se rregullimi i çdo aktiviteti ekonomik e financiar është gjithmonë një përpjekje për t’u lavdëruar e për t’u mbështetur.

Rregullimi përcakton rregullat e ndërveprimit dhe mbron konsumatorin e investitorin, duke garantuar gjithashtu edhe mbikëqyrjen e aktivitetit, si në këndvështrim të sigurisë së tregut, edhe në këndvështrim të formalizmit të ekonomisë, mbledhjes së të ardhurave dhe detyrimeve fiskale e tatimore.

Formalizmi do të thotë të krijosh kushtet themeltare për zhvillimin e tregut dhe të instrumenteve financiar. Kriptomonedhat ose paraja dixhitale janë një fenomen i ri, por besoj se do të bëhen pjesë normale e jetës sonë ekonomike e financiare.

Ky është një zhvillim teknologjik në para dhe në financë, që besoj se do të zhvillohet e përqafohet më tej nga tregu.

E nëse ndodh në nivel global, natyrisht do të ndodhë edhe në tregun tonë financiar. Unë jam një besimtar i revolucionit në para, që fillon me decentralizimin, testimin në treg, rregullimin ligjor dhe institucional dhe aplikimin në jetën reale.

Sipas diskutimeve, ka gjasa që tregtia dhe investimi në kriptomonedha të jetë i pranishëm në tregun shqiptar.

Ka shumë rëndësi që ky aktivitet të ushtrohet i rregulluar dhe i mbikëqyrur. Prandaj mendoj se është një zhvillim pozitiv.

Jam i bindur se me kalimin e kohës, kur ky fenomen të bëhet më i përhapur dhe të kuptohen më mirë si përfitimet, edhe rreziqet, ligji do të duhet të përmirësohet e të përshtatet për t’u shërbyer më mirë konsumatorëve dhe stabilitetit të tregut financiar.

Gjithashtu, vlerësoj se institucionet mbikëqyrëse si BSH e AMF do të duhet të plotësojnë dhe mbështesin ligjin me kuadrin rregullator, për të mundësuar ndërveprimin e aktivitetit të institucioneve, në varësi me tregun e kriptomonedhave.

/REVISTA MONITOR/